TIRANË- Rastet e aksidenteve ku këmbësorët bëhen viktima të përplasjeve në rrugë po bëhen të shpeshta. Viktima e radhës është bërë një këmbësor, i cili po kalonte rrugën në autostradë dhe për pasojë është përplasur nga një makinë.
Burime të ‘BalkanWeb’ bëjnë me dije se bëhet fjalë për një endacak i cili ka zgjedhur të kalojë përmes autostradës Tiranë-Durrës 20 metra larg nga mbikalimi.
Policia ndodhet ende në vendngjarje dhe po heton për të zbardhur të plotë aksidentin. Kjo është viktima e dytë brenda pak ditësh në autostradën Tiranë-Durrës ku humbi jetën tragjikisht edhe një shtetas tjetër, i cili u masakrua nga goditja e fortë e mjetit që i shkaktoi këputjen e kokës.
NJOFTIMI I POLICISE:
Më datë 19.10.2016, rreth orës 14:30, tek Autostrada Tiranë-Durrës, në zonën e Domjes, një automjet me targa AA 843 NR që drejtohej nga shtetasi M. S., ka aksidentuar këmbësorin e seksit mashkull, rreth 50 vjeç, i cili është dërguar në S.Q.U. Në gjendje të rëndë, por ka gjetur vdekjen rrugës për në spital.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Drejtuesi i mjetit është ndaluar në flagrancë dhe është shoqëruar nga shërbimet e Qarkullimit Rrugorë Tiranë.
(BalkanWeb)