NGA DORJANA BEZAT*

“Nuk e kam parë fare gruan me 2 fëmijët. Po flisja në telefon. Kur kam dëgjuar zhurmën nën rrota, u tremba dhe ika”. Kështu ka deklaruar 20-vjeçari Andrea Memollari i cili dje aksidentoi për vdekje 37-vjeçaren Dhurata Prifti e cila ishte me 2 fëmijët e saj, që po ashtu mbetën të plagosur.

Memollari ka treguar se nuk e ka parë gruan që po kalonte rrugën, por kur ka kuptuar se ka ecur mbi trupin e të aksidentuarës e ka zënë paniku dhe është larguar.

Ndërkohë pas aksidentit, semafori i prishur i kësaj zone është vënë në funksionon sërish. Ai u rivendos në orët e para të ditës së enjte, vetëm pak orë pas aksidentit. Semafori te kryqëzimi në rrugën “Jordan Misja” nuk punonte prej 3 javësh dhe ditën e aksidentit fatal për 37-vjeçaren Dhurata Prifti, ai ishte jashtë funksionit.

Për pasojë makinat dhe këmbësorët kalonin në mënyrë të alternuar me vullnetin e tyre, në këtë kryqëzim. Përplasja fatale u regjistrua në orën 11:16 dhe gjithçka është fiksuar prej kamerave të sigurisë të një biznesi pranë vendit ku ndodhi aksidenti.

Viktima Dhurata Prifti, nënë e dy fëmijëve 7 dhe 13 vjeç ka qenë duke kaluar rrugën ku duhet të ishin vijat e bardha në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja”.

Pasi ka kaluar gjysmën e rrugës ka vërejtur mjetin që po ecte me shpejtësi dhe ka tërhequr fëmijët e saj nga rruga, në këtë moment u përplas nga makina “Benz” CDI 220 ngjyrë gri e drejtuar nga 20-vjeçari Andrea Memollari, i cili në momentin e aksidentit ishte duke folur në telefon.

Nga pamjet filmike të sekuestruara tashmë nga policia duket qartë dinamika e këtij aksidenti. Drejtuesi i mjetit jo vetëm që nuk ka qëndruar pas aksidentit, por i ka xhiruar gomat e makinës, duke u larguar me shpejtësi.

Nga përllogaritjet e bëra nga ekspertët rezultoi se mjeti udhëtonte me shpejtësi 60 km në orë, ndërkohë që shpejtësia e lejuar në zona të tilla është 40 km në orë. Madje për shkak se në zonë ka një kryqëzim, shpejtësia duhet të ishte më e ulët se 40.

Autori i këtij aksidenti të rëndë u kap nga policia rreth 2 orë pas ngjarjes. Mbi 20- vjeçarin Andrea Memollari rëndojnë akuzat “Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, të cilat dënohen me 5 deri në 10 vite burg.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: