Përplasja me armë zjarri në gusht 2024 në Bushat, SPAK merr të pandehur tre anëtarë të grupit ‘Bajri’. Bëhet fjalë për të pendehurit Samuel Troshani, Izmir Sakica dhe Franko Leka. Ndërkohë, Aleksander Prendi, është anëtari i katërt, nga grupi rival, ku tre të pandehurit, akuzohen se kishin planifikuar ta vrisnin.
Ndonëse Prendi ishte në shënjestër, ai nuk i shpëtoi akuzave të SPAK. Sakaq, Franko Leka dhe Aleksandër Prendi vijojnë të jenë në kërkim. Sipas SPAK Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar, janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij, të cilët janë banorë të kësaj zone.
Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga Prendi. Pas hekurave ndodhen Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët zgjodhën të vetëdorëzohen në polici.
