Deklaratat e bëra nga kryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, mbi mundësinë që Bashkia e Përrenjasit të shkrihet dhe të funksionojë si njësi administrative e Bashkisë së Librazhdit, kanë shkaktuar një valë të fortë reagimesh në të gjithë territorin e Prrenjasit.

Në vetëm pak ditë, kundërshtimi ndaj kësaj ideje ka bashkuar qytetarë, ish-kryetarë bashkie, ish-deputetë, këshilltarë bashkiakë dhe përfaqësues të komunitetit, të cilët e konsiderojnë këtë skenar të papranueshëm dhe një goditje ndaj identitetit, historisë dhe zhvillimit të Përrenjasit.

Sipas tyre, Prrenjasi nuk është thjesht një njësi administrative, por një bashki me histori, traditë dhe potencial zhvillimi, që nuk duhet të humbasë statusin e saj.

Reagimet kanë qenë të shumta në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë shprehur hapur kundërshtinë ndaj çdo nisme që synon bashkimin me Librazhdin.

Krahas reagimeve publike, është organizuar dhe nënshkruar edhe një peticion, i cili është firmosur gjerësisht nga qindra banorë të Bashkisë së Prrenjasit, duke kërkuar që qeveria dhe Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale të tërhiqen nga kjo ide.

Debati është reflektuar edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Prrenjasit, ku çështja e reformës territoriale dominoi diskutimet. Këshilltarët bashkiakë kërkuan sqarime nga kryetari i bashkisë Nuri Belba lidhur me informacionet e publikuara dhe mbi qëndrimin institucional për këtë propozim, duke theksuar se komuniteti pret transparencë dhe mbrojtje të interesave të bashkisë.

Kulmi i reagimit u shënua mbrëmjen e së martës , kur qindra qytetarë u mblodhën në qendër të Prrenjasit në një protestë pa dallime politike. Nën moton e mbrojtjes së identitetit dhe të ardhmes së qytetit, pjesëmarrësit kërkuan që Bashkia e Prrenjasit të mos shkrihet dhe të vazhdojë të ekzistojë si njësi e pavarur vendore.

Pjesëmarrësit theksuan se kjo është një kauzë qytetare dhe jo politike, duke deklaruar se ruajtja e bashkisë është një interes i përbashkët për të gjithë banorët, pavarësisht bindjeve partiake.

Ndërkohë, ish-kryetarë bashkie, ish-deputetë dhe figura të njohura të zonës kanë dalë publikisht dhe janë prononcuar masivisht në rrjetet sociale kundër mundësisë së bashkimit me Librazhdin, duke argumentuar se një vendim i tillë do të sillte pasoja në përfaqësimin institucional, administrimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik të Përrenjasit.

Qytetarët kanë paralajmëruar se peticioni do t’u dërgohet institucioneve përgjegjëse, ndërsa nuk përjashtojnë organizimin e protestave të tjera nëse propozimi për bashkimin e Bashkisë së Përrenjasit me Librazhdin vijon të mbetet pjesë e diskutimeve për reformën e re administrativo-territoriale.

Bashkia e Prrenjasit renditet e 31 -ta ndër 61 bashkitë e vendit tonë për nga numri i popullsisë me mbi 20.000 banorë dhe renditet te bashkitë me popullsi mesatare që plotëson kushtet dhe standartet e BE për të qenë bashki në vete , ndërkohë që gjysma e bashkive të tjera të Shqipërisë kanë më pak se 10.000 banorë dhe disa të tjera nuk arrinë te 15.000 banorë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb