Qeveria shqiptare nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e industrisë ushtarake me kompaninë italiane “Financantieri”. Marrëveshja mes kompanisë italiane dhe shoqërisë shqiptare të industrisë ushtarake “KAYO”, parashikon prodhimin e anijeve të vogla dhe të mesme fillimisht për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe më pas për eksport në tregjet ndërkombëtare. Kjo kompani që përzuri paligjshmërisht nga godinat e saj televizionin News24, trumbetoi se do të prodhonte armë ushtarake, por dhe mjete të ndryshme si autoambulanca, dronë, duket se e ka lënë pas këtë plan, duke miratuar marrëveshjen për ndërtimin e anijeve në Pashaliman. Në gusht të vitit të shkuar KAYO, që drejtohet nga ish-polici Ardi Veliu, mori në pronësi godinat e ish-Uzinës së Autotraktorëve, por ende nuk ka nisur aktivitete konkrete në terren, ndërsa televizioni News24 u nxor në mënyrë urgjente nga godinat me pretekstin e zhvillimit të projekteve industriale në sektorin e mbrojtjes.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi tha se kjo marrëveshjeje do të sigurojë vende të lira punë. “Rreth 400 persona do punësohen në këtë kantier të ri, i cili është një gur themeli, jo vetëm për prodhimin industrial por edhe për punësimin e të rinjve dhe të rejave për një teknologji të fjalës së fundit që do zhvillohet në Vlorë”, tha Nufi. Kryeministri Edi Rama e cilësoi marrëveshjen si moment të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë dhe ekonomisë së vendit.
“Kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për të rinjtë, për vajzat e djemtë e shkollës industriale të Vlorës, të cilët do të jenë të parët, të cilët do të kontaktohen dhe do të ftohen për të marrë pjesë në një rrugëtim formimi të përshtatur për të qenë nesër dhe jo në një të ardhme të largët, por në një të ardhme shumë të afërt pjesëmarrës, të kësaj shoqërie të re ekselence në territorin e tyre”, tha ai.
Por çfarë historiku ka kompania italiane?
“RaiNews” në janar të vitit 2023 shkruan se në kantierin e Porto Marghera në Venecia të Italisë punëtorët shfrytëzohen nga “Fincantieri”.
Media italiane shkruan për 13 dënime për personat që rekrutonin punëtorët, me gjithsej 17 vite burg. Ndërkohë që mbi 2 milionë euro u konfiskuan nga 7 kompani që vepronin si nënkontraktorë.
“RaiNeës” shkruan për nënkontraktime të dyshimta, faturime false, punëtorë të huaj që paguheshin 5-6 euro në orë për 12 orë punë, pa pushime, dhe të gatshëm të bënin gjithçka për të marrë ose mbajtur një leje qëndrimi.
