Nga data 11 deri më 17 janar qëndroi e hapur ekspozita e pesë piktorëve shqiptarë në Kuvajt. Ky aktivitet është organizuar nga Ambasada shqiptare në Kuvajt në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Këshillin Kombëtar të Kulturës, Arteve dhe Letrave të Kuvajtit (NÇAL).

Piktorët e përzgjedhur nga Galeria Kombëtare, të pranishëm me punimet e tyre në ekspozitë janë: Shyqyri Sako, Dhimitër Theodhori, Ardian Isufi, Fani Zguro dhe Gazmend Leka. Në ceremoninë e hapjes së hapjes së ekspozitës në Muzeun e Arteve Moderne të Kuvajtit morën pjesë shumë qytetarë të këtij vendi, dashamirës të artit, përfaqësues të biznesit kuvajtian, medias, komunitetit shqiptar në Kuvajt, etj. Përshëndetën si organizatorë të ekspozitës: Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Kombëtar të Kuvajtit për Kulturën, Artet dhe Letrat, Ali Johua; Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani si dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kuvajt, Kujtim Morina. Përveç drejtorit të Galerisë, ishte i ftuar në Kuvajt edhe piktori Fani Zguro për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës. Përzgjedhja e punimeve të pesë piktorëve shqiptarë ia shtoi koloritin dhe interesin ekspozitës me teknikat dhe individualitetet e tyre të ndryshme.

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, si kurator i ekspozitës, u shpreh se përzgjedhja e piktorëve pjesëmarrës është mbështetur në disa pika të rëndësishme të mjedisit artistik dhe ndikimit të tyre si ndaj publikut vendas, ashtu edhe ndaj atij të huaj. Në këtë mënyrë Dhimitër Theodhori (1946-2013), piktor kostumograf, është vlerësuar për krijimtarinë e tij në kostumografinë filmike e cila sjell atmosferën e munguar të lënë pas në kohë, e cila shumë rrallë zë vend në sallat e galerive apo muzeve të artit; Shyqyri Sako (1937) piktor skenograf u vlerësua për krijimtarinë e tij, e cila i përket natyrës së vendeve të njohura të qyteteve dhe peisazheve baritore. Ai i realizoi pikturat e veta si reflektime pasqyruese, korrekte e të drejtpërdrejta nga natyra. Piktori tjetër, Gazmend Leka (1953) është piktor modern, profesor i njohur në Universitetin e Arteve në Tiranë, i vlerësuar si një artist aktiv në krijimtari dhe në ekspozim, në fushat pedagogjike dhe të zhvillimit të mendimit mbi artin. Kjo ka bërë që piktura e tij të gjenerohet prej ideve dhe bashkë me lëndën e figurave të tij të ecin së bashku, ndërsa abstragimi filozofik sundon apo ndriçon reflektimin e figurave dhe personazheve të tij. Ardian Isufi (1973) piktori tjetër pjesëmarrës në ekspozitë është artist bashkëkohor i dallueshëm dhe asistent profesor në Studion e Grafikës së Fakultetit të Arteve Pamore, ku dominojnë miksmediat. Fani Zguro (1977), artist tjetër bashkëkohor dhe kurator i pavarur i suksesshëm arti në Shqipëri dhe jashtë saj, krijon në foto, video dhe miksmedia.

Kriteri tjetër i vlerësimit të pjesëmarrjes – shprehet kuratori i ekspozitës Shabani, – është që ekspozita të krijojë përmes pikturës në kostumografi, pikturës së peisazhit, imazheve të simbolikës së mendimit njerëzor filozofik, grafikimit dhe pop-artit mbi shenjat e kohës së komunizmit si dhe konceptualizimit formal mbi lëvizjen kaotike, atmosferën e përgjithshme të zhvillimit të arteve pamore në Shqipëri, të cilat në fillim të shekullit XX nisin me gjuhën realiste dhe përfundojnë në gjuhët e sofistikuara të arteve në ditët e sotme, ku artisti shpallet personalitet aktiv i shoqërisë njerëzore pa kufi. Rëndësia e kësaj ekspozite – përfundon kuratori Shabani – lidhet ngushtësisht me promovimin e artit shqiptar në mjedise të vendeve me potencial ekonomik të zhvilluar, me rëndësi politike të afirmuar dhe kulturë tjetër botërore, ku kjo e fundit shërben për të lidhur urat e komunikimit të ndërmjetëm midis popujve dhe vendeve të ndryshme të botës, në këtë rast Shqipëri-Kuvajt.
Sekretari i Përgji-thshëm i NÇAL-së, z. Ali Johua, tha në hapjen e ekspozitës se ai ishte i kënaqur që prezantonte punimet e artit të artistëve shqiptarë. Ai u shpreh më tej se këta artistë janë të mirënjohur për kontributet e tyre në art me teknika të ndryshme duke filluar nga kostumografia, grafika, filmat, vizatimet përveç artit formal. Kjo ekspozitë, – tha z. Johua do të kontribuojë në një ndërveprim më të mirë mes vendeve dhe popujve tanë.

Ambasadori Kujtim Morina shprehu vlerësimin e lartë për Ministrinë e Informacionit të Kuvajtit dhe Këshillin Kombëtar për Kulturën, Artet dhe Letrat, që kanë mbështetur këtë projekt. Ai e konsideroi ekspozitën “Refleksione nga Shqipëria” si një kolazh që përfshin elementë të rëndësishëm të pikturës shqiptare tradicionale dhe moderne. Duke i ftuar qytetarët kuvajtianë ta vizitojnë këtë ekspozitë, ai shtoi se ajo sjellë këndvështrime interesante të natyrës dhe abstragimeve të piktorëve shqiptarë.
Morën pjesë në hapjen e ekspozitës edhe disa piktorë dhe skulptorë kuvajtianë, veprat e të cilëve janë të ekspozuara në Muzeun e Arteve Moderne në Kuvajt dhe u bë një bashkëbisedim interesant mes artistëve të dy vendeve për teknikat në përdorim si dhe klimën e artit në të dyja vendet. Gjithashtu, u hodh ideja e ekspozimit të punimeve të piktorëve kuvajtianë edhe në Shqipëri.

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: