ITALI

Atmosfera në qytetin e Parmës në Itali, atje ku u luajt miqësorja Shqipëri-Kili, filloi të ndihej që prej orës 18:00, ku në sheshin para stadiumin “Enio Tardini”, u mblodhën tifozët kuqezi. Pasi u ngrohen disi, filluan nga brohoritjet në mbështetje të Kombëtares. Parma është “e skuqur” para ndeshjes dhe të duket si një qytet shqiptar.

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e miqësores ku ndiheshim si në shtëpi.

* Fillimisht mbërriti autobusi i Kilit dhe u prit me ofendime nga tifozët shqiptarë. Ndërkohë, një grup prej 15 tifozësh kilianë, brohorasin për ekipin e tyre. Përplasjet mes tifozëve shmangën.
* Pas pak minutash mbërrin edhe autobusi i Kombëtares shqiptare, që shoqërohet me mbështetje të shumtë nga mijëra tifozë kuqezi.

* Baret anës stadiumit janë të populluara, me tifozët që përpiqen në radhë që të marrin një shishe ujë apo të konsumojnë diçka.

* I pranishëm në Parma është edhe ish-trajneri kuqezi, Xhani De Biazi, i cili shoqërohej fillimisht nga zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri. Më pas e ndjek ndeshjen bashkë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka…

* Teksa ora shkon 20:00, stadiumi fillon edhe mbushet, ku patjetër që dominojnë tifozët shqiptarë dhe simbolet kombëtare që shfaqen kudo. Në stadium janë rreth 16 mijë tifozë, ku 80 % e tyre ishin shqiptarë.

* Teksa po bënte nxehje bashkë me Strakoshën, portierit Elham Kastrati i ikën një top nga zona e Kilit, ndërsa vrapon dhe e merr sërish.

* Familjarë të futbollistëve ishin të shumtë të pranishëm në stadiumin “Ennio Tardini”. Po ashtu edhe bashkëshortja e trajnerit Silvinjo, që e ndjek në shkallët e stadiumit.

* Me Manajn dhe Seferin nis topi i parë, i cili ishte i gjatë dhe i gabuar. Për një moment Asllani goditet dhe alarmon stafin e Kombëtares.

* Zabaleta i kërkon llogari gjyqtarit të katërt për një faull që Ramadani shkakton. Më pas është Silvinjo që e qetëson. Braziliani është si gjithmonë me kostum, ndërsa trajneri i Kilit, Gareka, për të cilin dje ishte debutim, kishte zgjedhur të vishej sportiv.

* Edhe pse në majë të sulmit, Rei Manaj mban numrin “8”, ndërsa numri “9” mbetet te Jasir Asani.

* Protestë nga kuqezinjtë te goli i Kilit për prekje të topit me dorë, por nuk është i këtij mendimi kryesori Paireto.

* Komentatori nga Kili shprehet në komentin “live” të ndeshjes, pasi shënon Vargas: “Qetësi totale në stadium!”

* Jasir Asani provon nga pozicioni ku ka shënuar supergola, por këtë herë shkon larg. Në momentin e goditjes, tifozët ngrihen në këmbë.

* Protesta të forta tek arbitri Paireto për një faull të mosdhënë për Ramadanin. Gjimshiti i “turret” italianit. Po i kalon kufijtë e miqësores kjo sfidë.

* Silvinjo bërtet me të madhe për të ushtruar presing te lojtarët e Kilit. “Hajdeni shpejt”, dëgjohet të bërtasë braziliani.

* Në pushim performon në stadium edhe këngëtarja Besa Kokëdhima.

* Teksa stoli i Kilit del në nxehmje i gjithi, nga kuqezinjtë asnjë lojtar i pankinës rezervë nuk shihet në fushë gjatë pushimit. Pas disa minutash shihen dalin Broja, Muçolli, Hoxha, Muçi, Veseli, Laçi dhe Aliji. Po ashtu edhe portierët.

* Kur po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes, arbitri Paireto ia shpjegonte Ramadanit pjesën e faullit.

* I gjithë stadiumi më minutën e 62-të bërtet “Broja, Broja”. Silvinjo e aktivizon 4 minuta më vonë dhe i jep udhëzimet e rastit.

* Broja i kërkon gjyqtarit te goli i dytë i Kilit që të shihte mënyrën sesi kundërshtari e hodhi rivënien anësore, duke ia demonstruar. Sulmuesi kuqezi ishte i bindur se rivënia me dorë nuk ishte ekzekutuar në mënyrë të rregull. Mirëpo, dje mungonte VAR-i dhe arbitri italiani vijoi lojën.

* Debuton me fanellën kuqezi sulmuesi i krahët, Arbër Hoxha, në minutën e 78-të. Anësori i sulmit mban veshur fanellën me numrin “26”.

* Në fund, pavarësisht zhgënjimit të humbjes, lojtarët e Kombëtares mbështeten nga tifozët kuqezi, që kishin mbushur stadiumin, duke treguar edhe një herë tjetër, se kudo që luan Shqipëria, përkrahja është e jashtëzakonshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb