Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur të mos marrë në shqyrtim dy ankesat e grupimeve në Partinë Demokratike për tu regjistruar në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Grupimi i Enkelejd Alibeajt kundërshtoi një vendim të ndërmjetës të KQZ-së që u njohu të drejtën të përdorin logon dhe vulën, por kërkoi që një deklaratë ku shprehej vullneti për zgjedhje të lira dhe të ndershme të firmoset nga Lulzim Basha.

Sipas grupimit të Bashës, letra është firmosur nga i autorizuari Enkelejd Alibeaj por që nuk u pranua nga Ilirjan Celibashi.

Sipas KAS, kërkesa e Alibeajt nuk është pranuar për shkak se KQZ-ja nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje, por ka vetëm një vendim të ndermjetëm.

Në të njëjtën kohë është rrëzuar edhe kërkesa e grupimit të Berishës që kërkonte të njihet ish kryeministri si kryetar i PD-së e për rrjedhojë të përdorë vulën dhe logon e kësaj partie.

Sipas KAS-it kërkesa e tij nuk mund të pranohet për shkak se mungon legjitimiteti.

VENDIMET

Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi elementët e formës dhe të përmbajtjes së kërkesave ankimore të depozituara në KQZ.
Në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS vendosi mos kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 29, të depozituar nga Partia Demokratike, z. Sali Berisha. KAS konstatoi se ankuesi nuk legjitimohet sepse nuk ka interes të ligjshëm në një çeshtje që i përket një kërkuesi tjeter dhe KAS-i nuk ka kompetence për shqyrtimin e ankesës, pasi KSHZ nuk është shprehur me vendim përfundimtar për kërkesen e ankuesit.
KAS vendosi kalimin për shqyrtim në seancë publike në datën 14.03.2023, në orën 09:00, të kërkesës ankimore nr. 30 depozituar nga Partia ‘Lëvizja Bashkë.
Gjithashtu, KAS vendosi të mos kalojë për shqyrtim kërkesën ankimore nr. 31 të depozituar nga Partia Demokratike, z. Enkelejd Alibeaj.
KAS konstatoi se: “Vendimi i Komisionerit nr. 158, datë 09.03.2023 është vendim i ndërmjetëm. Ai nuk i ka dhënë zgjidhje në themel kërkesës me nr. 1337 Prot., datë 06.03.2023. Komisioneri e ka detyrim ligjor që të shprehet me vendim për pranimin ose rrëzimin e saj. KAS-i është instancë e ankimit administrativ dhe jo instancë e shqyrtimit fillestar të kërkesave. KAS-i nuk mund të ushtrojë kompetenca, të cilat nuk i janë ngarkuar shprehimisht nga ligji. Kjo do të thotë se ai nuk mund të shprehet për themelin e kërkesave, pa u shprehur më parë Komisioneri si organ kompetent për shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre. KAS-i nuk ka kompetencë “për urdhërimin e regjistrimit si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë”” si instancë fillestare, sikurse i kërkohet nga ankuesi”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb