BERAT- Kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda ka inspektuar zbatimin e planit të emergjencës shëndetësore për rehabilitimin shëndetësor të zonave të përmbytura, në qarkun e Beratit, plan i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë në përputhje me orientimet e OBSH-së për emergjencën në situatat e përmbytjes dhe përvojën e mëparshme.

Gjatë inspektimeve të kryera në zonat e përmbytura u vu theksi në parandalimin e përhapjes së epidemive të ndryshme që mund të shfaqen pas tërheqjes se ujërave. Nga ana e autoriteteve shëndetësore të qarkut Berat u shpreh vazhdueshmëria e veprimeve për dezinfektimin e banesave të përmbytura dhe furnizimin e popullatës me ujë të pastër. Megjithë përmbytjen e një numri të caktuar banesash sot situata është normale dhe puna vazhdon me të njëjtin ritëm.
Në takimin që zhvilloi me mjekët dhe punonjësit e qendrës shëndetësore dhe drejtues të qeverisjes vendore në Bashkitë e Beratit dhe Urës Vajgurore nga ana e Deda u theksua gatishmëria e autoriteteve qendrore për t’iu përgjigjur çdo nevoje të zonave të përmbytura me qëllim kalimin sa më të shpejtë të kësaj situate. Detyrë madhore mbetet shmangja e epidemive që mund të shfaqen si rezultat i tërheqjes së ujërave dhe për këtë qëllim autoritetet shëndetësore janë ne gatishmëri të plotë për parandalimin tyre.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: