Tetë persona janë paditur me akuza federale në SHBA, pasi dyshohet se kishin organizuar një sulm terrorist ndaj eventit të UFC-së të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë më 14 qershor. Sipas autoriteteve amerikane, plani përfshinte përdorimin e dronëve, snajperëve dhe armëve të tjera, ndërsa objektiv ishin Presidenti Donald Trump, Zëvendëspresidenti JD Vance, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, miliarderi Elon Musk dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Aktakuza, e ngritur në Ohajo, i akuzon të pandehurit për komplot për të ofruar mbështetje materiale për terroristët dhe për komplot për të kryer vrasje në territor federal, akuza që mund të dënohen deri me burgim të përjetshëm.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, të akuzuarit janë Abraham Alvarez, Daniel Eskridge, William Faulkner, Tycen Proper, Jordan Rinker, Brian Roa, Chandler Skaggs dhe Michael Thomas.
Hetimet tregojnë se grupi kishte nisur organizimin e planit që në muajin maj. Të dyshuarit kishin siguruar fonde, armë zjarri, municione, jelekë antiplumb, eksplozivë, dronë, pajisje mjekësore, mjete komunikimi dhe materiale të tjera për realizimin e sulmit.
Sipas aktakuzës, komunikimi dhe koordinimi bëhej përmes platformave Signal, SimpleX, Discord, TikTok dhe Instagram. Grupi kishte krijuar edhe një strukturë të brendshme me “nivele”, ku pjesëmarrësit klasifikoheshin sipas rolit të tyre në operacion.
Dokumentet e gjykatës tregojnë se anëtarët e “nivelit të parë” ishin të gatshëm të kryenin veprime të paligjshme, të përballeshin me rrezik dhe të fshiheshin pas sulmit. Prokurorët pretendojnë gjithashtu se grupi kishte rënë dakord të vriste çdo punonjës të agjencive federale që do të ndodhej në detyrë gjatë eventit.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se të dyshuarit planifikonin të udhëtonin nga shtetet Nebraska, Missouri, Washington, Ohio, Virxhinia Perëndimore dhe Kalifornia drejt Uashingtonit, ndërsa kishin hartuar edhe planin e arratisjes pas sulmit.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se komploti u zbulua katër ditë para zhvillimit të eventit, pas përgjimeve të bisedave në aplikacionin Signal.
“Falë veprimit të shpejtë të FBI-së, partnerëve tanë dhe Departamentit të Drejtësisë në një operacion shumështetëror, disa individë ndodhen tashmë në paraburgim dhe sulmi i planifikuar u parandalua përpara se të realizohej,” tha Patel.
Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit përballen me dënime të rënda, ku akuza për komplot për vrasje parashikon burgim të përjetshëm, ndërsa ajo për mbështetje materiale ndaj terroristëve dënohet deri në 15 vjet burg.
