Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorian Teliti i ka bërë sot thirrje Ministrisë së Financave të ndërpresë menjëherë pagesat nga Thesari i Shtetit për inceneratorët fantazmë.

Në një deklaratë për mediat, Teliti tha se prej vitesh nga ky foltore kemi denoncuar afera korruptive dhe klienteliste të qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.

“Abuzime me të drejtat e njeriut, me pronat e shqiptarëve, tendera me një ofertë të vetme, rritjen pa kufi të barrës fiskale për bizneset dhe qytetaret, koncesionet me PPP e deri te udhëtimet luksoze me charter.
Ndonëse vendi ynë prej dy dekadash ka një kuadër ligjor të plotë sa i takon menaxhimit financiar publik, dhe mbështetja e institucioneve ndërkombëtare, si FMN apo BB nuk ka munguar për të rritur kapacitetet e administratës për të menaxhuar sipas ligjit çdo qindarkë publike, disa gjakpirës të financave publike kanë ndërmarrë praktika antiligjore, duke shkelur me të katërta këmbët parimet e financimit të shpenzimeve publike.

Rasti më konkret është ai i inceneratoreve.
Janë plot 103 milionë euro të paguara për një shërbim që nuk është kryer, atë të incenerimit të mbetjeve.
Incenerimi, apo ndryshe djegia e plehrave nuk është kryer, thjesht për faktin se një proces i tillë nuk kryhet nga koncesionari.
Ama paratë janë paguar sikur ky shërbim jo vetëm ekziston, por madje nuk është ndërprerë as edhe një ditë”, deklaroi Teliti.

Sipas tij, ligji Organik i Buxhetit e ka të shprehur qartë se për të kryer një pagesë thesari duhet që kërkesa të jetë e shoqëruar nga dokumentacioni që vërteton kryerjen e shërbimit përkatës.

“Nëse incenerim nuk ka, atëherë si është e mundur që të vërtetohet në dokumente një shërbim i tillë, përveç rastit kur dokumentet falsifikohen, apo zyrtarët e lartë të institucioneve firmosin në shkelje të ligjit për një punë të pakryer?
Si është e mundur që pagesat janë kryer nga Thesari i Shtetit, ndonëse të gjithë, i madh e i vogël, e di që incenerim nuk ka?
Si është e mundur që paska ende supervizore kaq kurajoze që sfidojnë kaq hapur ligjin dhe organet e sistemit gjyqësor?
Si është e mundur që paska ende zyrtare të Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Infrastrukturë të cilët e kanë për detyrë monitorimin e zbatimit të kontratave koncesionare, të cilët vazhdojnë muaj pas muaji, prej vitesh tashmë, të firmosin fatura për miliona e miliona euro për diçka që nuk ekziston?
Këto nuk janë shqetësime që ne i ngremë sot, kemi vite që kërkojmë zbardhjen e së vërtetës.
Kemi vite që kërkojmë ndërprerjen e pagesave për inceneratorët.
Fatkeqësisht, edhe sot që flasim, jo vetëm që pagesat nuk janë ndërprerë, por kërkohet që të paguhet e detyrimet e prapambetura.
I bëjmë thirrje Ministrisë së Financave që të ndërpriten menjëherë pagesat nga Thesari i Shtetit për inceneratorët fantazmë”, tha ai.

Teliti gjithashtu i bëri thirrje SPAK-ut që të thellojë hetimin dhe gjurmimin e miliona eurove të paguara, me qëllim që të rikthehen në arkën e shtetit dhe në xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

“Të jesh në kërkim dhe drejtësia mos të gjejë dot, ndërkohë që miliona euro e gjejnë lehtë rrugën për te ti, përbën një shaka të trashë me publikun”, përfundoi Teliti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb