Kryetarja e Komisionit Hetimor për çështjet e shëndetësisë, Albana Vokshi kërkoi shkarkimin e dy anëtarëve të maxhorancës nga ky komision, pasi sipas saj ata kanë konflikt interesi. Në një dalje për mediat, Vokshi është shprehur se socialistët po bojkotojnë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkoi shkarkimin e Plarent Ndrecës dhe Milva Ekonomi.

“E kemi thirrur mbledhjen bazuar në ligj. Është hera e tretë radhazi. Maxhorancë që bojkoton është vetëm kjo në parlamentin shqiptar, me urdhër të Ramës po bojkotojnë hetimet. Merret masa e largimit të deputetëve të maxhorancës. 8 deputetë për herë të 3 radhazi e kanë bojkotuar për arsye të papërligjshme, mos të ndjekin porosinë e Ramës që nuk do hetim parlamentar, të mos ndjekin Plarent Ndrecën, i cili është nën konflikt interesi. Rikujtoj që është Milva Ekonomi është në konflikt interesi, i kam bërë thirrje të dorëhiqet. Nuk pres nga Plarent Ndreca të dorëhiqet, është denoncuar nga KLSH për afera korruptive, jo vetëm ka mbrojtur të akuzuar. Milva Ekonomi nuk mund të hetojë veten e vet. Të zëvendësohen dy personat. Bazuar në ligj kemi depozituar planin hetimor që e kemi hartuar së bashku me ekspertë”, tha Vokshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb