Në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’, me Nisida Tufë në News24, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj sqaroi arsyet se përse akti normativ për KÇK, është hartuar në kushtet e një emergjence, ndonëse siç thotë ai, shifrat e kriminalitetit në vend janë ulur ndjeshëm krahasuar me vite shkuar.

“Operacioni Forca e Ligjit ka nisur para dy javësh në zbatim të aktit normativ me fuqi ligjore. Është një operacion i cili ka një objektiv krejtësisht të veçantë. Në thelb, bëhet fjalë për një ligj i cili adreson një çështje të paprekur prej shumë e shumë vitesh në Shqipëri, konkretisht pasuritë e gjeneruara nga pasuri kriminale. Është bërë shumë luftë këto vite, shumë përpjekje për ta luftuar krimin e organizuar, janë arritur shumë gjëra kundër tij, por kjo fushë, pasuria e tij kanë ngelur pothuajse e paprekur, e paadresuar, jashtë vëmendjes së kujtdo dhe ky ligj krijon një instrument të dedikuar krimit ekonomik ose më thjesht pasurive të krijuara nga krimit. Operacioni ka filluar dhe po ecën me një ritëm jashtëzakonisht të mirë, ndonëse është vetëm fillimi i tij.”- tha Lleshaj.

“Është e vërtetë që krimi në Shqipëri, është ulur ndjeshëm krahasuar me të kaluarën e afërt dhe vendi ka sot parametrat më të mirë në fushën e sigurisë publike, por emergjente është një situatë që ka lindur një situatë e cila ka lindur për shkak të vettingut në sistemin gjyqësor. Kjo është emergjenca. Për shkak të vettingut shumë gjyqtar që kanë parë tashmë se perspektiva e tyre brenda sistemit është mjaft e ulët dhe se ju e dini e kanë parë, që 50% e gjyqtarëve apo prokurorëve janë rrëzuar në procesin e vettingut, kjo gjendje ka dhënë një lloj parashikimi për shumë gjyqtarë që e di fare mirë seç kanë bërë në të kaluarën e tyre dhe po e shfrytëzojnë këtë kohë të mbetur, deri në ditën e vettingut, për të shfrytëzuar mundësitë për të bërë ato punë të pandershme që kanë bërë edhe më parë. Emergjenca është pikërisht kjo, po dalin nga burgu persona që normalisht duhet të ishin atje.” vijoi më tej Lleshaj.

Pjesë nga Intervista:
Sipas kushtetutës, një akt normativ nxirret nga “Këshilli i Ministrave” në një situate emergjente. Cila ishte emergjenca në këtë rast ?
Sipas kushtetutës, konkretisht nenit 101 të saj, aktet normative janë atribut i qeverisë, për t’u nxjerrë në kushte nevoje dhe emergjence. Janë akte normative, jo me fuqinë e ligjit. Kush ishte emergjenca? Shumë herë është lakuar këto ditë një kontradiktë në argumentim sipas të cilës ne pretendojmë se krimi në Shqipëri është ulur dhe nga ana tjetër deklarojmë një emergjencë në këtë fushë. Në fakt këtu nuk ka asnjë lloj kontradikte. Është e vërtetë që krimi në Shqipëri, është ulur ndjeshëm krahasuar me të kaluarën e afërt dhe vendi ka sot parametrat më të mirë në fushën e sigurisë publike, por emergjente është një situatë që ka lindur një situatë e cila ka lindur për shkak të vettingut në sistemin gjyqësor.

Kjo është emergjenca. Për shkak të vettingut shumë gjyqtar që kanë parë tashmë se perspektiva e tyre brenda sistemit është mjaft e ulët dhe se ju e dini e kanë parë, që 50% e gjyqtarëve apo prokurorëve janë rrëzuar në procesin e vettingut, kjo gjendje ka dhënë një lloj parashikimi për shumë gjyqtarë që e di fare mirë seç kanë bërë në të kaluarën e tyre dhe po e shfrytëzojnë këtë kohë të mbetur, deri në ditën e vettingut, për të shfrytëzuar mundësitë për të bërë ato punë të pandershme që kanë bërë edhe më parë. Emergjenca është pikërisht kjo, po dalin nga burgu persona që normalisht duhet të ishin atje. Policia, shumë prej tyre që kanë dalë i llogariste që të ishin përjetësisht në burg, ndërkohë që kanë dalë. Dhe këta persona që kanë dalë nga burgu, falë vendimeve skandaloze, nuk është puna se kanë dalë dhe kanë ngel pa punë, apo lypës, po janë vënë në krye të bizneseve të tyre kriminale, që kanë qenë të paprekura dhe duke disponuar biznese të mëdha, duke disponuar resurse të mëdha materiale por edhe njerëzore, këta persona kanë krijuar një situatë që për gjykimin tonë është e papranueshme dhe duhet adresuar. Këtu është emergjenca. Emergjenca janë kriminelët që kanë dalë padrejtësisht nga burgu, falë vendimeve skandaloze.

Ju vetë z. Lleshaj në Kuvend në interpelancë jeni shprehur se siguria publike është në nivelet më të mira historike . . .
Siguria publike në Shqipëri është nivelet më të mira në terma historikë, krahasuar me të kaluarën. Nëse e krahasoj me ambiciet tona, ajo nuk është shumë e mirë. Nëse e krahasojmë me atje ku duam të mbërrijmë, siguria publike ka nevojë për përmirësime të mëdha dhe për këtë jemi të ndërgjegjshëm. Po varet se nga e kthejmë kokën. Nëse e kthejmë kokën pas jemi më mirë se çdo ditë të së kaluarës tonë, po e kthyem kokën përpara, jemi më keq se ajo që duam të arrijmë. Ndaj nuk dua të krijojmë idenë që kemi arritur në një nivel euroforie. Jo nuk ka vend fare për eufori, ka vend për vetëkritikë, por kjo është situata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb