Shërbimi i aviacionit civil të Rusisë tha sot se një avion i regjistruar në Rusi me gjashtë persona në bord u zhduk nga radarët mbi Afganistan gjatë natës.

Shërbimi i Aviacionit Civil Rus tha në një deklaratë se avioni ishte një aeroplan Dassault Falcon 10 i prodhimit francez, i ndërtuar në vitin 1978, po operonte një fluturim mjekësor çharter nga India, nëpërmjet Uzbekistanit, në Moskë.

Policia në veri të Afganistanit mori informacione për një aksident avioni në provincën Badakhshan, tha më herët sot një zëdhënës i policisë provinciale. Autoriteti i aviacionit civil të Indisë tha se avioni që u rrëzua nuk ishte në një fluturim të planifikuar komercial dhe nuk ishte një avion indian me charter dhe se “priten detaje të mëtejshme”.

Zëdhënësi i policisë provinciale afgane tha në një deklaratë se avioni u rrëzua gjatë natës në një rajon të largët malor të Badakhshan në skajin më verior të Afganistanit. Ai tha se nuk kishte detaje të konfirmuara për llojin e avionit, shkakun e rrëzimit apo viktimat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb