Një avion transporti Boeing 737-400 i K2 Cargo Airways, me pesë anëtarë ekuipazhi në bord, është zhdukur gjatë një fluturimi nga Sharjah i Emirateve të Bashkuara Arabe drejt Karaçit në Pakistan.

Avioni humbi kontaktin me autoritetet e kontrollit ajror mbrëmjen e së martës, ndërsa ndodhej rreth 300 kilometra në perëndim të Karaçit, mbi Detin Arabik.

Sipas të dhënave fillestare të gjurmimit, avioni ka pësuar një rënie të fortë të lartësisë dhe një ndryshim të papritur të kursit pak para zhdukjes nga radarët. Autoritetet pakistaneze kanë bërë të ditur se ekuipazhi kishte raportuar më herët një defekt në sistemin e navigimit dhe po komunikonte me kontrollorët ajrorë.

Pas humbjes së kontaktit, Qendra e Koordinimit të Shpëtimit në Pakistan nisi një operacion të gjerë kërkimi në zonën detare ku u zhduk avioni.

Deri në këto momente nuk janë gjetur mbetje të avionit apo persona të mbijetuar, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse avioni është rrëzuar.

Një hetim i plotë pritet të nisë pasi të lokalizohet avioni dhe të mblidhen të dhënat teknike për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb