NGA OLSJAN TOPALLI

Pogradecarët po bëjnë përgatitjet e fundit për festën e verës në mes të dhjetorit, festë kjo e kthyer në traditë për qytetin buzë liqenit. Xha Llazi, një pogradecar safi i martuar me Marien, na ofron një gotë për ta provuar, dhe vera vjen aq e shijshme sa s’ka më. “Çdo vit, më datë 12 dhe 13 dhjetor, qyteti i Pogradecit nën përkujdesjen e bashkisë organizon festën e verës, ku pogradecarët nxjerrin nga bujtinat e tyre verën me të mirë që kanë dhe ua servirin të ftuarve, ku më pas në fund marrin edhe çmim për verën më të mirë që del fituese”, – na informon Maria. Në çdo rrugicë vjen era e mirë e zahireve të fundit që po përgatiten, përzier me tymnajën që lëshojnë sobat e drurit.

UDHËTIMI
Sapo ngjisim Qafë- Thanën, nga optika jonë e lirë arrijmë të shikojmë mjegullën e bardhë, e cila me qetësinë e saj duket sikur ka përpirë një qytet të tërë. Po zbresim kthesat që të shpien për në qytetin mbresëlënës të Lasgushit e Kutelit, siç është Pogradeci. Tashmë, ndihemi pak më të relaksuar, pasi që nga larg ndihet freskia e gjolit. “Tërë atë rrugë që bëmë nga Elbasani, por ia vleka!” – tha njëri nga tanët, të cilin gati po e zinte gjumi nga udha. Me të mbaruar kthesat i afrohemi fshatit Lin. Gadishulli i Linit është i pari që të shfaqet me bukuritë e tij sapo nis dhe zbret Qafën e Thanës, e cila ndan fushëgropën e Prrenjasit me fushëgropën e Pogradecit. Nga lart, Lini duket si një shputë dore që futet në liqen. Siç pohojnë edhe arkeologët, Lini ka një popullsi të hershme, që daton që në periudhën e hekurit. Makina çan udhën përpara me shpejtësi duke iu afruar edhe më shumë Pogradecit. Rruga tashmë e asfaltuar që prej fushatës zgjedhore, u jep mundësi shoferëve që ta përshkojnë më shpejt aksin Lin-Pogradec, që dikur mbretërohej nga gropat e shumta, të cilat e kthenin udhëtimin në makth. Klima ka ndryshuar, është më e ftohtë.

Duket që dimri po lajmëron që është prapa dere… Tek-tuk rrugës nuk na shpëton edhe ndonjë shitës ambulant, që në duar mban trofetë e nxjerra nga gjoli, i cili varkën e tij të lodhur e ka ankoruar në breg bashkë me ata pak peshq që i ka zënë rrjeta, të cilët janë i vetmi burim ekonomik me të cilin ushqen familjen. Tashmë jemi futur në zemër të qytetit, ku takimin e parë e kemi me shkrimtarin e madh Lasgush Poradeci, që edhe vështrimin nuk e heq asnjëherë nga liqeni. Futemi te një kafene tipike pogradecare, me pamje nga liqeni. Kamerieri na merr porosinë. “Po më duket vetja në Stamboll me këtë pamje dehëse të liqenit” – janë fjalët e mikut tim, Migenit, që thith fort cigaren që mban në duar. Pa humbur shumë kohë, konsumojmë çka kemi porositur. Tashmë ia lëmë vendin një xhiroje buzë gjolit, këtij vendi kaq frymëzues e çlodhës.

QYTETI
Me një sipërfaqe prej 13 km2 dhe një popullsi prej 40.000 banorësh, Pogradeci është një qytet që mund të vizitohet vetëm duke e shëtitur në këmbë. I vendosur përgjatë kodrave në formën e një teatri, shkallaret e të cilit zbresin drejt liqenit, ai dallohet për sipërfaqet e mëdha të gjelbëruara. Pogradeci ka shëtitore të gjera, në të cilat mund të gjesh akoma xhiron tradicionale të qyteteve shqiptare. Të tilla janë shëtitoret “Lasgush Poradeci” dhe “Fan Noli”, apo edhe sheshi “Reshit Çollaku”, ku ndodhen institucionet kryesore. Po ashtu, një tjetër sektor i rëndësishëm për këtë qytet është edhe turizmi; aty vijnë shumë turistë të huaj e vendas, ku ndër ta ishte dhe Enver Hoxha. Ky qytet të jep mundësinë të bësh turizëm në të katër stinët e vitit, pasi mbart një larmishmëri ngjyrash ekzotike. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu Tushemishtin e teto Ollgës (“Zonja nga qyteti”) dhe Drilonin piktoresk, vendin që të bën të dashurohesh me shikim të parë, me natyrën, me mjellmat dhe me çdo gjë tjetër pogradecare. Pogradeci njihet edhe si qyteti i luleve, për shumëllojshmërinë e tyre dhe ngjyrat tepër të ndezura.

Qyteti i njerëzve të thjeshtë e punëtorë, të cilët me të zbardhur dita vrapojnë të punojnë ku të munden, ndonëse tani kohët e fundit e kanë ndjerë shumë papunësinë… Duke ecur në shëtitore, njohëm Xha Llazin, një burrë rreth të 60-ave, i cili jeton vetëm me të shoqen, pasi fëmijët i ka në kurbet. “Kurbeti na ndau për së gjalli bre djalkë, s’po shohim gëzim në shtëpi”, – thotë xha Llazi i dëshpëruar. Duke ecur ca me të, ai nuk ngurron të na ftojë në shtëpi për të pirë nga një gotë verë, të bërë me mjeshtëri nga duart e tij të arta, ku ndër të tjera na thotë që Pogradeci dhe çdo familje pogradecare e ka të trashëguar brez pas brezi bërjen e verës. Në bisedë e sipër, nuk mund të rrinim kurrsesi pa mësuar edhe për gatimet tradicionale pogradecare, ku Maria, e shoqja, plot dëshirë na thotë: Prodhimet e tokës dhe të liqenit e bëjnë Pogradecin një vend të spikatur për nga kuzhina tradicionale dhe ajo e kultivuar. Mund të përmendim lakrorin me dy petë të pjekur në saç, qullnikun, byrekët, kuleçët, pastërmanë, tavat e perimeve me oriz, tavat e peshkut apo të mishit të pjekura në furrë etj. Vetëm korani, peshku i famshëm i liqenit, ka dhjetë receta gatimi, të cilat dinë t’i gatuajnë vetëm mjeshtrit vendas. Ndërsa, nga ëmbëlsirat e traditës, më e preferuar mbetet bakllavaja.

Në restorantet dhe hotelet e shumta mund të shijoni kuzhinën e liqenit me gatime të skarës apo në tavë. Një specialitet më vete janë edhe gatimet e shpendëve në saç, apo kuzhina e gjahut, ku nuk mungojnë rosat, shapkat apo lepujt e egër. Edhe kuzhina e huaj është interesante me varietetet e saj të shumta. Të gjitha këto prodhime mund të shijohen me raki rrushi, mani, kumbulle dhe verën e famshme të Pogradecit, që ruhet në bute prej druri. Dalim nga shtëpia e ngrohtë e xha Llazit dhe endemi nëpër rrugicat e qytetit të ngadaltë që drejtohet nga gratë. “Ne jemi pushteti i vërtetë i këtij qyteti. Pa ne, s’ka Pogradec, s’ka jetë! Gratë, nënat, motrat, vajzat e vendit… ato janë Pogradeci”, – thotë dhe Afroviti Gusho, një letrare e njohur e këtij qyteti dhe dikur drejtuese e shoqatës “Unë, Gruaja”. Kjo shoqatë është hapur ndër të parat në Shqipëri dhe ka si funksion të luftojë dhunën kundrejt grave. Para nesh shtrihet liqeni i Ohrit, me një pamje magjike, e rrëzë tij Mali i Thatë, që më ngjason si një plak me mjekrën e tij të bardhë nga vitet e moshës.

Dhe, po të kthehemi prapa në kohë, është ky liqen që fle sot para nesh, të cilit Lasgush Poradeci i dedikoi një jetë të tërë nga krijimtaria e tij si shkrimtar. Pa e ndjerë kuptojmë se jemi dashuruar me këtë qytet, saqë e kemi të pamundur të largohemi prej tij. Këmbët s’na ndalojnë së ecuri e na shpien të ngjisim tatëpjetën për nga kalaja, nga e cila ka marrë edhe emrin qyteti. Kalaja ndodhet në lindje të qytetit, në një kodër që lartësohet 205 m mbi Pogradec. Ajo i ka dhënë edhe emrin qytetit, diku gjatë pushtimit bullgar në shekujt IX-XI. Fjala “Pogradec” vjen nga sllavishtja, “nën kështjellë”, që ka kuptimin: qyteti nën kështjellë. Kalaja ka pasur si funksion kryesor kontrollin e gjithë rajonit përreth, duke funksionuar që nga shekulli V p.k. deri diku në shekullin XI. Sot prej saj ruhen një pjesë e vogël e mureve rrethuese dhe të apasionuarit pas fotografisë artistike mund të bëjnë aty foto të mrekullueshme të panoramës përreth, duke përfshirë qytetin apo liqenin. Tashmë nata dalëngadalë po hedh mantelin e saj të zi. Ne largohemi duke lënë pas Pogradecin, qytetin e Lasgushit dhe Kutelit. Qytetin e atyre njerëzve të dashur, punëtorë, mikpritës e bujarë. Largohemi duke lënë pas liqenin të flejë në shtratin e tij të gjerë… Largohemi, që një ditë të vijmë përsëri, dhe të pimë një gotë verë me xha Llazin apo dhe çdo pogradecar tjetër që na Pogradeci urdhëron mirëseardhjen.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: