Janik Siner deklaroi këtë të enjte se shuma financiare që marrin tenistët kur marrin pjesë në turnetë Grand Slam, si “Roland Garros”, është “shumë e ulët”. Italiani theksoi se paratë janë “pasojë”, por gjëja më e rëndësishme është “respekti” që organizatorët tregojnë ndaj lojtarëve, sepse pa ta nuk do të kishte turne.

“Kemi heshtur për shumë kohë dhe mendoj se tani kemi arritur në një pikë ku është e drejtë të flasim edhe për këto çështje”, deklaroi Siner në konferencën për shtyp të “Masters 1000” në Romë. Më tej ai shtoi: “Ne nuk po kërkojmë 50%, larg qoftë, por ndoshta po marrim shumë pak”. Numri 1 i botës shpjegoi se pa lojtarët “turneu nuk ekziston” dhe se mendon që tenistët japin më shumë sesa marrin në këmbim.

“Mendoj se gjatë dy javëve të ardhshme do të mësojmë edhe shpërblimin financiar që do të kemi në Uimbëlldon. Shpresojmë vërtet që të jetë më i mirë. Pastaj, sigurisht, vjen edhe US Open”, deklaroi Siner. “Nuk bëhet fjalë vetëm për lojtarët elitarë, por për të gjithë ne. Si në kategorinë e meshkujve ashtu edhe te femrat, jemi shumë, shumë të bashkuar”, saktësoi tenisti italian, icili theksoi gjithashtu se ndodhen në një moment ku burrat dhe gratë janë bashkë: “Paratë janë pasojë, mbi të gjitha, e rëndësishme është respekti”.

NJË BOJKOT I MUNDSHËM

I pyetur për mundësinë e bashkimit me një bojkot të mundshëm, siç kanë sugjeruar disa tenistë të tjerë, Siner deklaroi se i kupton këto qëndrime sepse problemi ka kohë që nuk po zgjidhet, megjithëse shtoi se kjo do të shihet në të ardhmen. Italiani, ashtu si të gjithë anëtarët e “Top 10”-shit mashkullor dhe femëror, nënshkroi një deklaratë që, sipas gazetës britanike “The Guardian”, shpreh pakënaqësinë ndaj nivelit të shpërblimeve financiare të parashikuara për edicionin e 125-të të “Roland Garros”, që do të zhvillohet në Paris pas turneut të Romës.

“Kur në sporte të tjera më të mirët në botë bashkohen për të dërguar një letër kaq të rëndësishme, mendoj vërtet se jo vetëm që do të merrnin një përgjigje brenda 48 orëve, por edhe një takim për të diskutuar gjithçka”, sqaroi Siner.

“Po flasim për para, por gjëja më e rëndësishme është të ndihesh i respektuar, dhe ne nuk ndihemi të respektuar. Lojtarët janë pak të zhgënjyer me atë që ka bërë ‘Roland Garros’”, shtoi italiani. Vitin e kaluar, shumica e tenistëve më të mirë në botë firmosën dy letra drejtuar katër organizatorëve të “Grand Slam”-eve, duke kërkuar rritje të shpërblimeve, kontribute në një fond mirëqenieje për lojtarët, i destinuar për përfitime pensioni dhe materniteti, si dhe përfshirje në vendimet që i prekin drejtpërdrejt.

OBJEKTIVI: 22 % E TË ARDHURAVE

Kërkesat vendosnin si objektiv një pjesëmarrje prej 22% në të ardhurat e turneve, duke e barazuar kështu modelin e “Grand Slam”-eve me nëntë eventet e nivelit 1000 të organizuara nga “ATP Tour” dhe “ËTA Tour”.

Organizatorët e “Roland Garros” njoftuan muajin e kaluar një rritje prej 9.5% të shpërblimeve, por lojtarët nuk e kanë konsideruar të mjaftueshme. Ata marrin si shembull edicionin e vitit 2025, ku të ardhurat e gjeneruara nga turneu parisien u rritën me 14%, ndërsa fondi i ndarë për tenistët u rrit vetëm me 5.4%. Me pak fjalë, organizatorët shpenzuan vetëm 14.3% të të ardhurave të tyre për shpërblimet e lojtarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb