KOSOVE- Pas sulmeve terroriste në Bruksel, Policia e Kosovës ka shtuar masat shtesë për siguri dhe parandalim të incidenteve të mundshme në tërë territorin e vendit.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se policia dhe institucionet tjera të sigurisë bëjnë vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e kërcënimit nga çfarëdo aktiviteti kriminal, duke përfshirë edhe kërcënimin nga terrorizmi.

“Referuar edhe situatës së fundit Policia ka ndërmarrë masa shtesë me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe parandalimit të incidenteve të mundshme në gjithë territorin e Kosovës”, thonë zyrtarë të policisë për KosovaPress.

Sipas tyre nuk ka ndonjë informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist.

“Tani nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë, por as edhe Kosova nuk mund te jete imune sikurse nuk janë edhe shtetet më të zhvilluar në rajon e më gjerë. Institucionet e vendit janë të gatshme që varësisht nga situata të ndërmarrin të g jitha masat e nevojshme me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së vendit në përgjithësi dhe kundër qytetarëve të saj në veçanti”, thuhet në deklaratën e policisë.

Zyrtarë për informim në polici thonë se varësisht nga analizat paraprake, Policia e Kosovës me qëllim të parandalimit dhe sjelljes së të dyshuarve para organeve të drejtësisë monitoron aktivitetin e personave për të cilët ekziston dyshimi se kanë kryer apo do tentojnë të kryejnë ndonjë vepër penale.

Por zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara tha se nuk kanë ndërmarrë masa shtesë për sigurinë e aeroportit, si rezultat i sulmeve në vendet publike në Bruksel.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: