NGA: DORJANA BEZAT
TIRANE- Policia Rrugore e Tiranës mendon se vendimi i Bashkisë për të filluar punën në sheshin Skënderbej pa përfunduar punimet në unazën e vogël është i nxituar. Megjithatë dhjetëra policë rrugorë kishin kapur sot pikat kyçe të sheshit Skënderbej, në përpjekje për të vënë rregull në trafikun tejet të rënduar, të krijuar nga puna që filloi bashkia për rindërtimin e këtij sheshi.

Për të menaxhuar këtë situatë të vështirë të trafikut që pritet të vazhdojë gjatë, Policia Rrugore ka angazhuar të gjithë forcat në terren. Janë rreth 40 policë rrugorë dhe 20 policë të rendit, të cilët janë pozicionuar në rrugët me më shumë trafik. Bllokimi i sheshit Skënderbej, që sipas ekspertëve të trafikut të Tiranës është arteria kryesore e qarkullimit ku fryjnë rrymat e trafikut të gjithë Tiranës, është një vendim i nxituar.

Rëndimi i trafikut sipas policisë, erdhi edhe për faktin se bllokimi i disa akseve rreth sheshit dhe devijimi i lëvizjes së mjeteve, u bë pa asnjë paralajmërim dhe pa orientim paraprak. Sipas specialistëve të trafikut një bllokim i tillë kërkonte të paktën një informim publik 10 ditë më parë. Situata do të vështirësohet edhe më tej pasi këto punime kryhen në vigjilje të vitit të ri shkollor si edhe në një stinë me reshje ku përdorimi i automjeteve shtohet së tepërmi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: