Ka nisur këtë të mërkurë protesta e 32-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Qytetarët janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të shprehin sërish kërkesat për dorëheqjen e qeverisë.
Mes protestuesve ishte edhe një pensionist, i cili foli për vështirësitë ekonomike me të cilat, sipas tij, përballen të moshuarit. Ai u shpreh se rritja e çmimeve dhe e qirave e ka bërë të pamundur përballimin e shpenzimeve me pensionin që merr, duke shtuar se në fund të çdo muaji detyrohet të marrë borxh.
“Qeratë e shtëpive dhe çmimet janë ngritur. Me atë pension që kam, unë deri në fund të muajit duhet të marr borxh. Herën e fundit mu rrit pensioni vetëm 2700 lekë të vjetra. Kam një propozim, duhet t’i kontrollojmë pasurinë politikanëve, SPAK, jo vetëm të bëjnë një vit burg. Të konfiskohen pasuritë e t’i shkojnë popullit”, tha ai.
