Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i ftuar në studion e News24, ka komentuar interpelancën e zhvilluar në Kuvend lidhur me ndërtimin e portit të Porto Romanos, duke ngritur kritika të forta ndaj qeverisë.
Kapri theksoi rëndësinë strategjike të Korridorit 8, duke e lidhur drejtpërdrejt me portin aktual të Durrësit. “Korridori 8 po bëhet për Portin e Durrësit, kur ka korridore të tilla të mëdha duhen porte të mëdha, ndryshe nuk ka vlerë rruga. BE ka dhënë fonde, Perëndimi e miratoi planin. BE ka dhënë paratë për hekurudhën moderne nga Durrësi në Qafë Thanë. NATO e vendosi si projekt strategjik ushtarak dhe përfundimi i këtij korridori e vendos Shqipërinë në tregtinë evropiane,” u shpreh ai.
Sipas deputetit, projekti aktual për transformimin e portit të Durrësit dhe ndërtimin e një porti të ri në Porto Romano nuk ka logjikë ekonomike dhe strategjike. “Pra shumica e tregtisë në Mesdhe do bëhet në portin e Durrësit, është projekti më i madh, projekti i shekullit të ri. Kur Perëndimi e ka miratuar ne marrim vendimin ta prishim këtë portin që të ndërtohet një port jahtesh dhe disa pallate për Alabbarin dhe të ndërtojmë një port të ri më të vogël në Porto Romano dhe me një terren jo të thellë sa duhet. Këtu ka një mungesë logjike. Nëse do kishte lobim nga forca të huaja dashakeqëse do lobonin për një port më të vogël për Shqipërinë,” deklaroi Kapri.
Ai u ndal edhe te çështja e hetimeve për projektet infrastrukturore në vend, duke përmendur edhe ministren Belinda Balluku. “Çdo projekt që kanë bërë në Shqipëri sot është në SPAK. Të gjitha. Edhe ky i portit të Durrësit dështoi dhe SPAK ka nisur një hetim. Këta nuk gjejnë dot një sukses të vetëm. I thashë ministrit se nuk i besojmë dot për ato që thotë sepse çdo projekt infrastrukture, koncesioni, siç janë 8 lotet e Unazës së Madhe të Belinda Ballukut janë në SPAK, nuk ke një normal. Këta me një qetësi olimpike vijnë në parlament,” u shpreh ai.
