* Avokati i Shullazit dhe Danit: Nuk i pranojnë akuzat
* Ja akuzat që rëndojnë mbi Shullazin

TIRANE- Fill pas akuzave që bëri publike ish-kryeministri Sali Berisha, policia ka shoqëruar Emiljano Shullazin dhe brenda pak orësh i është komunikuar urdhër-arresti, ndërsa bashkë me të janë arrestuar edhe kushëriri i tij Blerim Shullazi, si edhe shoku i tij Gilmando Dani.

Emiljano Shullazi, person me precedentë penal, u shoqërua rreth orës 21:00 minuta të së shtunës në afërsi të Rrugës së Kavajës, tek lokali i tij vila 1928, ndërsa urdhri për ndalimin e tij u lëshua nga prokuroria e krimeve të rënda.

Gilmando Dani u ndalua rreth një orë më vonë te Drejtoria e Policisë Tiranë kur shkoi për t’u interesuar për Emiliano Shullazin, ndërsa Blerim Shullazi u ndalua rreth orës 03:00 në Krujë në banesën e tij, ku policia i gjeti dhe i sekuestroi rreth 3 kg kanabis dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh. Zyrtarisht nga Policia e Tiranës, bëhet me dije se ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat e “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Ndalimi i këtyre shtetasve është bërë sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë në kohë dhe qytete të ndryshme, kanë shtrënguar nëpërmjet kanosjes për dhënien e pasurisë në mënyrë të padrejtë biznesmenë të ndryshëm.

Prokuroria e krimeve të rënda lëshoi urdhrin e ndalimit, ndaj Emiljano Shullazit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, shtetasve për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, ndaj shtetasit A. Z., me qëllim kanosjen e tij për fitimin e pasurisë në mënyrë të padrejtë.

Burimet thonë se biznesmeni A. Z. merret me firmë ndërtimi dhe zotëron një kompleks vilash në Tiranë. Mbi të rëndojnë edhe akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike në Itali ku rezulton i dënuar me 18 vite burg.  Burime për News24, bëjnë me dije se Emiljano Shullazi, Gilmando Dani e Blerim Shullazi janë në hetim edhe për kërcënim ndaj shtetasve me iniciale, Xh.T. dhe F.S.

Sakaq Emiljano Shullazi pritet të merret në pyetje nga prokurorë të çështjes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ndodhet i arrestuar prej mbrëmjes së djeshme.

Ndërkohë në një prononcim për mediat, para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, avokati i të arrestuarve, Shullazi e Dani, Alban Qafa, deklaroi se ata nuk pranojnë akuzat e ngritura. Avokati tha se po pengohet në punën e tij, duke mos u lejuar të takojë klientët e tij.

NJOFTIMI I POLCISE
Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se është ekzekutuar urdhri i ndalimit i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për ndalimin e tre shtetasve për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, ndaj shtetasit A. Z., me qëllim kanosjen e tij për fitimin e pasurisë në mënyrë të padrejtë.

Më datë 17.04.2016, në orën 01:30, u bë ndalimi i shtetasve:
• Emiljano Shullazi, 38 vjeç, banues në Tiranë.
• Gilmando Dani, 38 vjeç, banues në Tiranë.
• Blerim Shullazi, 32 vjeç, banues në Krujë.

Ndalimi i këtyre shtetasve është bërë sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë në kohë dhe qytete të ndryshme, kanë shtrënguar nëpërmjet kanosjes për dhënien e pasurisë në mënyrë të padrejtë biznesmenë të ndryshëm.

Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, për tre shtetasit e sipërpërmendur, ka regjistruar një sërë procedimesh penale për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga Nenet 109/b, 152, 278/4, 283/a dhe 333/a Kodit Penal.

AVOKATI I SHULLAZIT DHE DANIT: NUK I PRANOJNË AKUZAT

Avokati i Shullazit dhe Danit pretendon se po i pengohet e drejta e ushtrimit të  detyrës, për të takuar klientët e tij.  Sipas avokatit Alban Qafa, klientët e tij nuk i pranojnë akuzat.

“Për momentin janë persona të ndaluar, nuk na është vënë në dispozicion as procesverbali i ndalimit, asnjë lloj dokumenti tjetër. Në dijeninë që kemi ne klientët nuk i pranojnë akuzat që janë ngritur ndaj tyre.”- deklaroi Avokati.

AKUZAT E BERISHËS
Po ditën e djeshme, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama, se përmes Emiljano Shullazi ka kërcënuar, dekanin e fakultetit të shkencave të natyrës, Mynyr Koni, kandidat në garën për rektor të universitetit të Tiranës. Sipas Berishës, Shullazi i ka kërkuar kandidatit Koni të heqë dorë nga gara në të kundërt do i marrë peng djalin.

Pas ndalimit të Shullazit, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ka thirrur në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako si edhe drejtues të tjerë të institucioneve përgjegjëse.

(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb