Flamurtari del nga “koma” dhe kryen lëvizjen e papritur. Gerd Haxhiu është zyrtarisht trajneri i ri. “Panorama Sport” e mësoi lajmin ekskluzivisht, ndërsa më pas klubi e zyrtarizoi teknikun e ri mesditën e djeshme.

Në orën 10:00 të paradites së djeshme, Haxhiu është shfaqur në ambientet e klubit. Pasi ka konsumuar një kafe me administratorin Idrizi dhe disa zyrtarë të tjerë të klubit, trajneri i ri është ngjitur në katin e dytë të klubit, ku kanë diskutuar gjerësisht për projektin e ri, por edhe për detajet financiare të kontratës. 46- vjeçari Gerd Haxhiu ka drejtuar më parë disa skuadra në Shqipëri.

haxhiu

E ka nisur trajningun po te Flamurtari në vitin 2007 si trajner e më pas edhe tek Apolonia, Bylisi, Korabi, Besa e Kavajës, Partizani apo edhe Skënderbeu e Luftëtari. Këtë të fundit Haxhiu e nxori në Superiore.

Gerd Haxhiu vjen nga një familje futbollistësh, ku i ati i tij, Mexhit Haxhiu, është një emër i madh i futbollit vlonjat dhe atij shqiptar, po ashtu futbollist ka qenë edhe vëllai i tij, Saimir Haxhiu. Ka qenë vetë administratori Idrizi që e zyrtarizoi Haxhiun dje në ambientet e klubit. Ndërkaq, Dritan Sadedini do të jetë zëvendëstrajneri i Flamurtarit

PRAPASKENA

“Panorama Sport” mëson se emri i Gerd Haxhiut ka dalë papritur në skenë edhe pse mund të sjellim në kujtesë se Idrizi e takoi trajnerin vlonjat edhe gati pesë vite më parë, kur shkarkoi Ernest Gjokën, por nuk dihet se përse atëherë palët nuk ranë dakord.

Mbrëmjen e së dielës, mësohet se ka qenë drejtori Edmond Liçaj që ka kontaktuar trajnerin Haxhiu, por kreu i ri i pankinës pati kontakte edhe nga vetë Idrizi. Drejtuesit i lanë Haxhiut takim paraditen e djeshme ku edhe u zyrtarizua gjithçka. Por deri në orët e fundit trajner i zyrtarizuar disa herë nga Idrizi ishte Julian Ahmataj. Madje trajneri nga Elbasani do të vinte dje në Vlorë për të firmosur. Por gjithçka mori një kthesë të papritur në fundjavë.

ahmataj

ADMINISTRATORI

Në një prononcim për “Panorama Sport”, administratori Idrizi tha se e kishte në plane Gerd Haxhiun që 5 vite më parë, por atëherë nuk ishin pjekur kushtet. “Juve personalisht unë ju kam thënë para pesë viteve që momentin e parë që do të bashkëpunonim me Gerdin, e lëmë për njëherë tjetër.

Idrizi-750x430

Tani u poq koha dhe Haxhiu është trajner i Flamurtarit”, tha Idrizi ndërsa thekson se nuk ka objektiva. “Unë objektiva nuk kam, Gerdi ka objektiva. Ai i ka vendosur objektiva vetes”. Administratori flet shkurtimisht edhe për Ahmatajn.

“Unë kam thënë që Ahmataj pothuajse ka qenë i konfirmuar. Ne vendosëm të bashkëpunojmë me Gerdin tani. Ahmataj është djalë serioz dhe me mirëkuptim”, përfundon Idrizi./Panoramasport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb