Arabia Saudite po ushtron presion ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të hequr bllokadën e Ngushticës së Hormuzit dhe për t’u rikthyer në negociata, nga frika se një përshkallëzim mund të destabilizojë më tej rajonin. Sipas burimeve arabe të cituara nga Wall Street Journal, vendimi i presidentit Donald Trump për të mbyllur ngushticën mund të provokojë reagim të ashpër nga Irani.

Zyrtarët sauditë paralajmërojnë se Teherani mund të kundërpërgjigjet duke mbyllur Bab al-Mandabin, një korridor jetik në Detin e Kuq, që është thelbësor për eksportet e mbetura të naftës së mbretërisë. Kriza thekson rreziqet e përpjekjeve të SHBA-së për të rihapur Hormuzin, të cilin Irani e ka bllokuar që në fillim të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke ndërprerë rreth 13 milionë fuçi eksporte nafte në ditë dhe duke çuar çmimet mbi 100 dollarë për fuçi.

“Presidenti Tramp e ka bërë të qartë se dëshiron që Ngushtica e Hormuzit të hapet plotësisht për të garantuar rrjedhën e lirë të energjisë. Administrata është në komunikim të vazhdueshëm me aleatët tanë të Gjirit”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.

Ndërkohë, Arabia Saudite ka arritur të rikthejë eksportet e naftës në nivelet para luftës, rreth 7 milionë fuçi në ditë, duke përdorur tubacionet drejt Detit të Kuq. Megjithatë, këto furnizime mbeten të rrezikuara nëse edhe kjo rrugë bllokohet.

Shtetet e Gjirit kundërshtojnë një skenar ku Irani do të kontrollonte Ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike për ekonomitë e tyre, por njëkohësisht po shtyjnë drejt një zgjidhjeje diplomatike. Huthit, që operojnë në Jemen, kanë treguar se janë në gjendje të godasin transportin detar në rajon. Edhe pse zyrtarët sauditë kanë marrë garanci prej tyre për të mos sulmuar anijet saudite, situata mbetet e brishtë dhe e paparashikueshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: