TIRANË

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk është ndalur gjatë për mediat pas seancës në Apelin e GJKKO. Ai ka falënderuar gazetarët dhe tha se pret vendimin, i cili siç u vendos në seancë do të jepet më 4 shkurt në orën 13:00.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se për gati 1 orë e 30 minuta avokati i Tahirit ka paraqitur mbrojtjen e klientit të tij në Apeli ne Gjykatës së Posaçme.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri akuzohet për favorizim të trafikut të drogës.
“Të premten më 4 shkurt ora 13:00 Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të shpallë verdiktin final për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës Jaeld Çela nën akuzë nga SPAK për trafik narkotikësh kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. SPAK pretendon se Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë favorizuar grupin kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj për të trafikuar sasi të mëdha hashashi nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Grupi i drejtuar nga Moisi Habilaj është goditur në Catania të Italisë, atje ku anëtarët e këtij grupi kanë marrë edhe dënimet përkatëse. Rigjykimi i Saimir Tahirit erdhi fill pasi Gjykata e Lartë vendosi ta rikthente çështjen për në Apel me arsyetimin se kishin kryer shkelje të rënda procedurale duke i cenuar Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Në seancën e sotme gjyqësore e cila zgjati afro katër orë e gjysmë, ishte prokuroria ajo që foli e para dhe i qëndroi strikt versionit të saj që ka shpallur në krye të herës kur e dërgoi për gjykim Saimir Tahirin. Sipas prokurorisë, Saimir Tahiri ka bashkëpunuar me Habilajt në trafikun e drogës dhe për këtë tha prokuroria ka prova të një marrëdhënieje të qëndrueshme të ish-ministrit të Brendshëm dhe të pandehurit tjetër Jaeld Çela me pjesëtarët e grupit kriminal Habilaj. Gjithashtu prokuroria tha se ndonëse zoti Tahiri nuk ka komunikime direkte me pjesëtarët e grupit Habilaj, në fakt persona të lidhur me të, vartës të tij në ministrinë e Brendshme kanë pasur komunikime direkte dhe kanë numra të përbashkët të tyre, çka konfirmon akuzën sipas tyre.
Nga ana tjetër ishte zoti Tahiri, i cili për afro 1 orë e 30 minuta bashkë me avokatin e tij Maksim Haxhia që paraqitën të gjitha argumentet e mbrojtjes. Zoti Tahiri tha se për asnjë moment nuk ka shkelur ligjin dhe ka zbatuar me përpikmëri të gjitha rregulloret dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me grupin kriminal Habilaj, përkundrazi ai deklaroi se gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm e kanë kallëzuar penalisht në Prokurori këtë grup dhe e kanë referuar disa herë.
Ndërkohë që avokati Maksim Haxhia deklaroi nga ana tjetër se gjykata për Krimet e Rënda e kohës nuk mund të vijonte gjykimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm për sa kohë që kishte një vendim të mëparshëm për të nga gjykatësi paraprak në Catania ku ai ishte hetuar dhe gjykuar për të njëjtat fakte si në Shqipëri, por në finale ishte vendosur pushimi i akuzës, çka sipas avokatit Haxhia Gjykatat shqiptare nuk mund të vijonin me këtë çështje sepse një person sipas ligjit nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën vepër penale. Me këtë arsyetim ai tha se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda e shndërruar në Gjykatë të Posaçme ishte një vendim i pabazuar në prova dhe fakte.
Pasi Saimir Tahiri u mor nën akuzë nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda të kohës, u dorëzua për gjykim dhe Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ta cilësojë atë fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dënojë me 5 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim u reduktua në 3 vite e 4 muaj dhe më pas u pezullua me shërbim prove. Gjithashtu zotit Tahiri iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 3 vitesh. Ndërkohë Jaeld Çela u shpall fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe u dënua me 5 vite burgim dhe më pas iu reduktua në 3 vite e 4 muaj me shërbim prove. Dosja shkoi në Apel dhe Apeli vendosi që për shkak të shkeljeve të kryera në Shkallën e Parë të rikthehej sërish për gjykim, por Saimir Tahiri nuk priti që të rigjykohej, por vendosi t’i drejtohej Gjykatës së Lartë me rekurs dhe kjo e fundit duke konstatuar shkelje të rënda në procedurës të kryera nga Apeli i Posaçëm vendosi ta rikthejë për rigjykim. Në fakt seancat e fundit janë shtyrë disa herë radhazi deri ditën e sotme kur treshja gjykuese dëgjoi të dyja palët, nga njëra Prokurorinë që kërkoi dënimin me 12 vite burg për Saimir Tahirin dhe po ashtu 12 vite burg për Jaeld Çelën, për shkak të gjykimit të shkurtuar, sipas SPAK dënimi iu reduktohet në 8 vite burgim dhe nga tjetër të pandehurit që këmbëngulën në pafajësinë e tyre. Tashmë pritet e premtja për të mësuar dhe fatin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri”, raportoi gazetarja Klodiana Lala.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb