Pas seancës së sotme të rregullt të Presidencës së Bosnjës së Hercegovinës dhe dy seancave të jashtëzakonshme, anëtari kroat i këtij institucioni, Zhelko Komshiç ka njoftuar se ai dhe anëtari boshnjak i Presidencës, Shefik Dzaferoviç votuan në favor të njohjes së Kosovës.

Sipas tij, përfaqësuesi serb Milorad Dodik ka votuar kundër.

“Dodik nuk e pranoi njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, ne votuam 2-1 për atë vendim. Dodik ishte kundër tij”, tha Komshiç.

Vendimi për njohjen e Kosovës nuk është përfundimtar, pasi u ra dakord që të shkohet në raundin e dytë të votimit në seancën e ardhshme.

“Do të jetë përsëri temë në javët e ardhshme”, shtoi ai.

Komshiq tha se Kosova është një realitet dhe një shtet i pavarur.

“Kosova është një realitet, Kosova është një shtet i pavarur dhe të gjithë e dimë këtë. Të ikësh nga ajo që do të thotë Dodik është paksa një politikë e strucit që e fut kokën në rërë përballë rrezikut”, tha Komshiç.

Po ashtu, Presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk ka miratuar vendimin për hyrje në Mini-Shengen, si dhe refuzoi kërkesën e Dodikut që ambasada e këtij vendi nga Tel Avivi të zhvendoset në Jerusalem.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: