Deputetja opozitare, Fatjona Dhimitri, i kërkoi mazhorancës të tërhiqet nga votimi i dekretit të Presidentit Ilir Meta për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe të presin mendimin e Komisionit të Venecias.

Nga foltorja e Kuvendit, deputetja Dhimitri deklaroi se mazhoranca ka frikë nga mendimi i Venecias, pasi e di që Presidenti ka të drejtë.

“Komisioni i Venecias nuk është një institucion që kur na e merr mendja neve të shkojmë t’i kërkojmë mendim, e kur nuk na pëlqen as nuk e përfillim fare. Në fakt presidenti i Republikës nuk po kërkon asgjë më pak, as më shumë, se një mendim të kualifikuar. Mospranimi i mendimit të Komisionit të Venecias është humbje për PS pa e nisur betejën politike. Po pse keni kaq frikë? Apo jeni të sigurt se as ata që keni pranë nuk e hanë më çorbën tuaj zgjedhore. Apo qëllimi juaj është që çorbën tuaj të prishur ta vjellë i gjithë populli edhe për katër vitet të tjera. Duke qenë në grahmat e fundit të pushtetit e parandjeni mendimin e Komisionit dhe preferoni të zmbrapseni. E dini që presidenti ka të drejtë. E dini dhe që populli është tejngopur me maskaradën tuaj të mashtrimit 7-vjecar. Prandaj ajo që iu intereson është vetëm të lidhni pas vetes disa zagarë të tjerë, që t’iu binden kur të filloni gjuetinë e votës.

Vota për ju është tmerri i natës pafund, tek zhyteni në trafikun e lëndëve narkotike, pastrimit të parave, dhe ju duhen zagarë që t’i lëshoni të lehni sa herë të bëni pisllëkun e radhës. Pale, dilni e na thoni se doni zgjedhje të ndershme, ju që lëshoni urdhër-arreste për komisionerë të vdekur dhe kokat e krimit në dosje ‘339’ e ‘184’ po organizojnë skemën e radhës të grabitjes elektorale. Mos u fshihni pas maskave të kombinuara me të brendshmet, por dilni para drejtësisë, tërhiqni votimin e dekretit dhe prisni mendimin e Venecias o shtatanikët e korrupsionit”, tha Dhimitri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb