SHKODËR- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi sot nga Shkodra se çdo lloj lëvizje në polici bën mirë. Pak lëvizjeve të shumta në Policinë e Shtetit me marrjen e detyrës së ministrit nga ana e tij, Xhafaj ka folur nga Shkodra, ku tha se këto lëvizje japin një ritëm të ri në punë. Ai foli edhe për rolin e policisë në zgjedhje si dhe për paralajmërimet e opozitës për protestën e 13 majit.

“Policia nuk do përfshihet në zgjedhjet e 18 qershorit por do të siguroje procesin zgjedhor për të shmangur çdo problem. Zgjedhjet janë të garantuara sepse i garanton kushtetuta. Policia bën detyrën që i jep ligji. Çdo lloj lëvizje në polici bën mirë për t’i dhënë një ritëm të ri”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Xhafaj tha se protesta e 13 majit ‘është një çështje që mbetet për t’u parë sa i përket informacioneve për ndonjë problem të mundshëm’.

Duke u ndalur tek lufta kundër kanabisit, ministri i Brendshëm deklaroi se është një prioritet dhe në Shkodër dhe se me angazhimin e qeverisë ky fenomen do të vijë drejt shuarjes.

“Lufta kundër kanabisit edhe në Shkodër është një prioritet sepse zona të caktuara janë Lazarati me kanabis…Kemi harruar se kemi një Lazarat në Shkodër. Me angazhimin e qeverisë ky fenomen do vijë drejt shuarjes. Për 2017 Shqipëria nuk do jetë në hartën e kanabis. Kjo luftë është një proces që vazhdon gjatë”, tha Xhafaj.

PRONONCIMI I PLOTË

Ministri: Zgjedhjet e 18 Qershorit janë absolutisht të garantuara, sepse zgjedhjet në përgjithësi i garanton Kushtetuta dhe ligji. Dhe Policia është në funksion të respektimit dhe garantimit të Kushtetutës e të Ligjit. Dhe Policia vetëm bën detyrën që i ngarkon ligji.

Pyetje: Janë të lidhura ndryshimet e drejtuesve kryesorë por dhe të Shefave të Komisariateve me këtë proces? Apo në këtë mes është edhe çështja e Kanabisit?

Ministri: Si mendoni ju, është më mirë që të ndryshojnë drejtuesit, apo të qëndrojnë në të njëjtin vend? Sepse çdo lloj rifreskimi, çdo lloj lëvizjeje, bën mirë për t’i dhënë ritëm të ri punës, ritëm të ri çështjeve e prioriteteve. Në kohë të ndryshme ka prioritete të ndryshme. Dhe natyrisht Kanabisi është një prioritet. Dhe në Shkodër, për hir të së vërtetës, është një prioritet  i rëndësishëm për shkak se, në vite, zona të caktuara mund t’i konsideroj edhe si Lazarati me kanabisin. Në vite të tëra, ndërkohë që flitej për Lazaratin, shpeshherë harronim që kishim dhe një Lazarat këtu në Shkodër. Por unë besoj që me punën e bërë në gjithë këto vite, me punën që po bëhet, me ndërgjegjësimin qytetar në radhë të parë, me vullnetin që është duke treguar Qeveria dhe gjithë strukturat e saj, ky fenomen do të vijë drejt shuarjes.

Pyetje: Do arrijë Policia ta fitojë këtë luftë edhe në një vit elektoral, si ky i sivjetshmi?

Ministri: Absolutisht, të jeni të bindur. Shqipëria për vitin 2017 nuk do të figurojë më në hartën e kultivimit të kanabisit. Fiksojeni këtë gjë. Dhe do të jemi prapë këtu në Shkodër. Natyrisht lufta kundër trafikut të drogës dhe kundër kriminalitetit është një proces që vazhdon dhe do të vazhdojë gjatë. Është një përballje mes ligjit dhe anti-ligjit, mes Policisë dhe shkelësve të ligjit. Ajo që ne po bëjmë është që kjo strukturë e rëndësishme e shtetit që mbahet nga taksapaguesit shqiptarë, të jetë një strukturë sa më efiçente, në mënyrë që t’u sigurojë qytetarëve edhe qetësinë e nevojshme , sigurinë e nevojshme. Natyrisht më pas, të gjithë bashkë për të dhënë drejtësinë e duhur – meqenëse jemi këtu në ‘shtëpinë’ e Drejtësisë.

Pyetje: Pas tre ditësh Opozita ka protestë. Keni një informacion për veprime të dhunshme?

Ministri Xhafaj: Kjo është një çështje që mbetet për t’u parë. Faleminderit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: