TIRANË- Ish dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë në procesin ndaj Aldo Bares, Arben Kicja padit Policinë e Shtetit dhe kërkon rikthimin në programin si dëshmitar i mbrojtur. Në padinë e tij ai thotë se po i vihet jeta në rrezik, prej një viti që kur iu hoq mbrojtja me pretendimin se kishte shkelur marrëveshjen.

Sakaq, pritet të nisë gjyqi në Gjykatën Administrative.

Në një rrëfim të tijin një vit më parë për emisionin “Xhungël” të gazetarit Artan Hoxha, Kicja tregoi peripecitë e jetës së tij, si guxoi të dëshmonte ndaj të fortit të bandës së Lushnjës i dënuar me burgim të përjetshëm, por dhe për atë sesi ai e humbi statusin e dëshmitarit të mbrojtur duke u lënë i braktisur dhe nën kërcënimin e atyre, të cilët ai denoncoi vite më parë.

Që pas vrasjes së Xhevat Demirit në Lushnje në gusht të vitit 1997 nisin dhe vështirësitë e jetës së Arben Kices, i cili u detyrua të largohej në Greqi, vend në të cilën ndenji deri në vitin 2002.

Për vrasjen e Xhevat Demirit ai do dëshmonte kundër Aldo Bares përmes një video konference në Gjykatën e Krimeve të Rënda në 31 mars 2010. Që prej dëshmisë së tij kundër Aldo Bares, Arben Kices i jepet statusi i dëshmitarit të mbrojtur përmes një marrëveshje që sipas tij s’ka qenë asnjëherë e plotë dhe se zyra për vlerësimin dhe mbrojtjen e dëshmitarit është e korruptuar. Arben Kicja thotë që e çuan në Itali por ai dhe familja e tij mbetën aty të paintegruar, pa arsim, pa mbrojtje, madje hera herës dhe pa para.

“Nuk kam pasur as integrim, as mbrojtje asgjë. Momentin që këta fituan pushtetin u ndërprenë kontaktet me italianët. Habiteshin italianët, nuk na besonin çfarë thoshin. Kemi ndejtur në shtëpi, nuk kam asnjë lloj kontakti, nuk kam pasur asnjë kontakt me asnjë shqiptar në Itali. Nëse kam pasur unë mbaj përgjegjësi ligjore”,- thotë Kicja.

Më 7 gusht të vitit të kaluar komisioni për vlerësimin e mbrojtjen e dëshmitarëve të mbrojtur përjashtoi Arben Kicën nga programi pasi në mënyrë të përsëritur ai kishte shkelur marrëveshjen. Burime nga ky komision thane se Kicja ka ardhur në kundërshtim me marrëveshjen disa herë në Shqipëri madje dhe me automjetin e tij. Por ky i fundit thotë që detyrohej ta bëjë këtë për shkak të mungesës së financave, humbjes së kontakteve me palën shqiptare dhe se për çdo lëvizje ka venë në dijeni policët italianë. Madje sipas tij, pala shqiptare ka qenë në dijeni të çdo lëvizje që ai bënte.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb