Pajisje, mjete logjistike bashkëkohore dhe automjete, në kuadër të projektit “Mbështetja e BE-së për Forcimin e Luftës kundër Kontrabandës së Migrantëve dhe Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Ballkanin Perëndimor – EU4FAST”, iu dorëzuan Policisë së Shtetit.
Në ceremoninë e zhvilluar, morën pjesë përfaqësues të Policisë së Shtetit, të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, të Ambasadës Franceze, ambasadave partnere të projektit, si dhe përfaqësues të organizatave dhe strukturave të përfshira në zbatimin e tij.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Policinë e Shtetit, duke theksuar se ky donacion do të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve për hetimin e krimit kibernetik, menaxhimin e kufijve dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe në rritjen e efektivitetit të punës operacionale në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe kontrabandimit të migrantëve.
Përmes projektit EU4FAST, Bashkimi Evropian vijon të mbështesë forcimin e strukturave ligjzbatuese, menaxhimin e kufijve dhe bashkëpunimin gjyqësor, në funksion të goditjes së rrjeteve kriminale, mbrojtjes së personave vulnerabël dhe garantimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Pajisjet e dorëzuara përfshijnë licenca të programit “Mercure”, për hetimin e krimeve kibernetike dhe analizën e riskut, skanerë portativë CTMS për dokumente dhe mjete për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara, një furgon të dedikuar për transportin e migrantëve, si dhe një automjet në mbështetje të hetimeve të Policisë Shkencore në vendngjarje.
