Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Selim Selimi, tha se ka kërkuar nga përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, që të shfrytëzojë fuqinë e saj diplomatike për rastin e Nezir Mehmetajt, i akuzuar për krime lufte nga Prokuroria e Serbisë.

Mehmetaj është ndaluar nga autoritetet serbe më 3 janar në vendkalimin kufitar në Merdare dhe që atëherë është në paraburgim. Më 1 korrik, familjarë të Nezirajt kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Prokuroria e Serbisë ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër tij.

Prokuroria në Beograd ka konfirmuar po ashtu për REL-in se ka ngritur aktakuzë ndaj N.M., për shkak të “dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: krime lufte kundër popullatës civile, gjatë periudhës qershor-korrik të vitit 1999”, shkruan Rel.

Ministri Selimi tha përmes një postimi në Tëitter se akuzat janë “false” dhe “të motivuara politikisht”. “I bëj thirrje Apostolovas që të shfrytëzojë fuqinë e saj diplomatike dhe t’i nxisë autoritetet serbe që të zbatojnë në mënyrë efektive Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, të nënshkruar nga vendet tona, me mbështetjen e BE-së, sa i përket Nezir Mehmetajt, i cili po mbahet në Serbi nën akuza false dhe të motivuara politikisht”, tha ministri Selimi.

Në postimin në Tëitter, ai e bashkëngjiti edhe letrën dërguar Apostolovas, ku, mes tjerash, thuhet se “Mehmetaj po mbahet joligjërisht nga një vend që nuk mund t’i garantojë të drejtën për gjyq të drejtë”.

“Ky rast, si shumë të tjera më herët, dëshmon ndjekjen e Serbisë për një drejtësi selektive, përmes së cilës i shqetëson qytetarët tanë me akuza të pavlera, ndërsa pengon ndjekjen dhe dënimin e qytetarëve të saj të akuzuar”, tha Selimi.

Mehmetaj ka qenë duke udhëtuar nga Zvicra për në Kosovë kur është ndaluar nga Policia e Serbisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb