Teksa protesta ka hyrë në ditën e 26, të shumta kanë qenë artikulimet për atë që pritet të ndodhë me drejtimin e vendit, nëse kryeministri Edi Rama jep dorëheqjen.
Çështja e cila është ngritur më shpesh është edhe forma e qeverisjes ku kërkesa kryesore e protestuesve ka qenë formimi i një qeverie tranzitore, apolitike.
I ftuar në programin e drekës në News 24, përballë Ola Brukos, aktivisti Eduart Kaca deklaroi se Republika Parlamentare ka dështuar dhe vendit i duhet një sistem amerikan me një president të plotfuqishëm të zgjedhur nga populli.
“Sistemi parlamentar ka dështuar, sistemi shumëpartiak ka dështuar, kemi parti pa institucion, liderë të përhershëm.
Republika Parlamentare ka dështuar.
Ne jemi Repblikë Parlamentare, por Rama sillet si mbret absolut. Shqipëria ka nevojë për një sistem amerikan me president të zgjedhur nga populli, me dy dhoma, me një president të plotfuqishëm”, tha Kacaj.
Ndërsa aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi se tashmë të rinjtë kanë marrë fatin në dorë dhe ata që janë çuar janë të arsimuar dhe do të arrihet qëllimi që është dorëheqja e kryeministrit.
“Të rinjtë janë çuar nga kafet dhe kanë marrë fatin në dorë, janë me shkollë dhe të artikuluar.
Po ashtu ka të rinj të arsimuar, mjekë, inxhinierë nga diaspora.
Prandaj kjo protestë ka qëndrueshmëri dhe do të arrijë në dorëheqjen e Edi Ramës”, tha Xhemalaj.
