Akademiku i njohur Artan Fuga i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ komentoi vendimin e orëve të vona nga Kryesia e PD-së, që përjashtoi përgjithmonë nga partia ish-kryeministrin Sali Berisha dhe disa deputetë të tjerë, por edhe anëtarë të selisë blu.

Fuga tha se deputetët e ndëshkuar u ndanë në tre pjesë, ndërsa shtoi se armiku kërkon unitetin e grupit.

“Unë kam përqasjen sociologjike në këtë rast. Nuk bëj observuesin dhe përshkruesin dhe historianin dhe as si njeriu që e sheh ngjarjen në kafene. Në sociologji ka dy rregulla bazë, e para; shpjegimi në sociologji bëhet në raportin shkak-pasojë. Brenda sociologjia nuk fut qëllimet, pse dhe si e bëri. Shikon veprimin dhe pasojat. Pra, unë shoh që u mor një vendim dje në mbrëmje vonë nga Kryesia e asaj që e quan PD. Dhe u ndanë në tre pjesë deputetët e ndëshkuar. Ata që ishin në listën e zezë të përjashtimit, ata që u paralajmëruan dhe një pjesë që u lanë pa përmendur. Kjo sjell që zoti Berisha, ‘Foltore’ krijon një grup parlamentar. Kjo i shërben dialektikës së grupit. Grupi konstituohet nga ai që e ndëshkon. Është armiku që kërkon unitetin e grupit. Nuk i hyjë qëllimeve. Parimi i dytë që nuk lëviz dot janë ato që quhen; pasoja të paparashikueshme dhe të padëshirueshme. Mendoj se në këtë rast kemi një pasojë të paparashikuar dhe të padëshirueshme. Zoti Basha ndëshkoi këta deputet. Nuk po paragjykoj lëvizjen.”, tha Fuga.

Po ashtu Fuga tha se kishte parashikuar që më herët që PD-ja do të ndahej. “Ne bashkë kemi folur dhe herë të tjera. Unë kam shprehur më parë se PD do të ndahet.”, tha ai.

Mes të tjerash Fuga tha se dy grupimet në PD do të kenë një skemë të re të betejës politike në Kuvend, ndërsa sipas tij ato do të rivalizojnë njëra-tjetrën. Sipas Fugës, synimi është fitimi i sa më shumë elektorat pas vetes.

“Zoti Berisha ishte një individ i përjashtuar nga grupi i vetë dhe qëndronte në një strukturë. Tani e ka këtë grup deputetësh. Në Kuvend do të kemi një skemë të re të betejës politike. Këto dy grupe që dalin nga PD do të rivalizojnë fuqishëm me njëri-tjetrin. Do ridikalizohen edhe më tepër. Ne themi se ata duan logot, nisur nga e kaluara. Dikur çdo fraksion që është ndarë nga impakti mëmë është shuar. Supozojmë se logon e mban Basha. Ai ka shanse më tepër se shumica e tij është në Kryesi dhe në Kuvend. Ka mbështetje më shumë në trupin diplomatik. Por problemi është se në rastin e zotit Berisha, ai është logo lëvizëse e PD. Është një nga simbolikat e PD. Nuk është se është shkëputur një grup tjetër, dhe kryetari ka mbetur. Mendoj se çështja e logos në aspektin politik nuk është e rëndësishme, por ka të bëjë me ekonominë e partisë. Janë buxheti, ndërtesa, makinat. Por është betejë paralele. Asnjëherë se homogjenizoj kohën politike. Duhet të analizojmë shkaqet. Ka figura që dalin për një zgjidhje të tretë, tejkalim i të dy palëve. Ka shumë individë që kanë mendime të mira, por nuk mjaftojnë vetëm studiot televizive. Por kërkohet punë e madhe. Nuk ka besueshmëri akoma. Nuk është e rastit që brenda PD, kandidaturat që dolën rivalë për kryetarin, u zhdukën. Ligji elektoral krijon dy monopole. Një monopol në buxhet, në lehtësira për kandidimin, e dyta, për monopolin e kandidimit.”, theksoi ai.

Pyetjes nëse a do e shtojnë forcën nga ndarja, PD-ja, ku në një krah rri Basha dhe në tjetrin Berisha, Fuga tha; “Do të jetë një betejë paralele. Ata nuk do të jenë në paqe. Lufta elektorale më e madhe bëhet mes grupimeve të ngjashme. Elektorati është po ai. Dihet që dy palët do rivalizojnë njëra-tjetrën. Kam një lexim të tillë që nga të dy anët, dhuna që është ushtruar, është jo e ligjshme, gabim politik. Është kthim në logjikën e vetëgjyqësisë, kthimin e trupave të drejtuesve, deputetëve në forca goditëse. Nga të dyja anët është bërë një gabim që kërkon mea-culpa. Shumicës nuk i jep të drejtën askush që të shkojë dhe të bëjë vetëgjyqësi. Nëse do të kishte atë frymë të ligjit, standardit juridik duhet të kërkojë të drejtën në organet gjyqësore. A ka besim te jurisprudenca, se di. Por mendo që të gjithë shqiptarët të shkojnë të kërkojnë pronat e tyre dhe të shkojë të marrim me forcë gjënë e vetë. Ata që ishin brenda, bënë një dhunë ndaj mësymësve. Ishte ngjarje e parashikuar. Ajo mbyllje ishte e qëllimshme. Ishte përgatitje për dhunë të dyanshme. Nëse je paralajmëruar për një dhunë ndaj atij vendi, duhet lajmëruar policia dhe s’duhet të ushtrohet një dhunë, e cila është dhunë me mjete të paligjshme dhe masive. Kur hedh gurë apo gaz nga lart s’dihet kujt t’i bjerë. Është bërë një gabim i madh nga të dyja anët. Nuk e di se si është e mundur që nuk kërkohet falje publike.”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: