TIRANE

Policia e kryeqytetit ka liruar 5 banorët e zonës së Astirit të cilët u shoqëruan në komisariat gjatë mbrëmjes së sotme pas protestës dhe konfrontimeve me policinë. Pasi janë marrë në pyetje për afro më shumë se 1 orë në dy Komisariatet e kryeqytetit, banorët janë lënë të lirë.

Në Komisariatin e Policisë nr.6 ishin shoqëruar shtetasit Gentian Gjoni, Altin Cejku, ndërsa në Komisariatin e Policisë nr.3, Shkëlzen Sadikaj, Dritan Cejku dhe Adriatik Cejku.

Menjëherë pas ndalimit të tyre, disa protestues u mblodhën pranë ambienteve të Komisaritatit nr.6 ku  pritën lirimin e të ndaluarve.

Forcat e policisë gjatë momentit të shoqërimit kanë hasur rezistencën e deputetit të PD-së, Klevis Balliu i cili i është afruar furgonit të policisë për të qenë pranë banorëve.

Banorët e kësaj zonë vijojnë protestën e tyre, prej 28 ditësh, me anë të së cilës kërkojnë dëmshpërblim 100% në vlerën e tregut për objektet që preken nga projekti i “Unazës së Madhe’.

Protestës së tyre, prej ditësh u janë bashkuar edhe deputetët e opozitës. Kreu i PD-së, Lulzim Basha i pranishëm ditën e djeshme në protestë, kërkoi anulim të projektit, të cilin e cilësoi një aferë të mirëfilltë kriminale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb