Mijëra qytetarë u mblodhën në qendër të Madridit për të protestuar ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të banesave dhe qirave, një problem që po prek gjithnjë e më shumë familjet spanjolle.

Demonstruesit marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit me pankarta dhe thirrje në mbrojtje të së drejtës për strehim. Mes mesazheve më të forta ishte slogani: “Duam fqinjë, jo turistë”, duke shprehur pakënaqësinë ndaj ndikimit të turizmit masiv në tregun e banesave.

Çështja e strehimit konsiderohet një nga sfidat më të mëdha politike për qeverinë e kryeministrit Pedro Sánchez, ndërsa vendi po afrohet drejt zgjedhjeve të vitit 2027.

Ekspertët vlerësojnë se rritja e kërkesës për apartamente, fluksi turistik dhe shtimi i popullsisë si pasojë e emigracionit kanë sjellë rritje të ndjeshme të qirave, sidomos në qytete të mëdha si Madridi dhe Barcelona.

Protesta e fundit vjen në një moment tensionesh politike në Spanjë, vetëm një ditë pasi dhjetëra mijëra persona dolën sërish në rrugët e Madridit për të protestuar kundër qeverisë Sanchez, mes kritikave për korrupsion dhe mënyrën e drejtimit të vendit. Ndërkohë, muajin e kaluar qeveria spanjolle miratoi një plan prej 7 miliardë eurosh që synon ndërtimin e më shumë banesave publike në katër vitet e ardhshme, si dhe mbështetje financiare për të rinjtë përballë kostove në rritje të qirave dhe blerjes së shtëpive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: