Dita e 40-të e qëndresës qytetare përpara Kryeministrisë ka sjellë mesazhe mjaft të forta dhe të prera jo vetëm ndaj mazhorancës socialiste, por edhe ndaj opozitës tradicionale

Gjatë fjalës së tij në tribunë, aktivisti Arbër Lleshi ka deklaruar se kjo protestë i përket vetëm qytetarëve të thjeshtë dhe ka paralajmëruar Partinë Demokratike të mos tentojë të marrë autorësinë e kësaj lëvizjeje qytetare.

Lleshi u shpreh se ky bashkim i madh po tregon se shqiptarët nuk janë më pak se popujt e tjerë perëndimorë sa i përket dinjitetit dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre.

“Bashkimi ynë do i tregojë Europës dhe botës që jemi njëlloj në dinjitet si e gjithë bota. Prandaj PD të mbajë duart larg nga përpjekjet për të marrë autorësinë e kësaj proteste,” deklaroi prerazi aktivisti, duke ruajtur kështu profilin e pastër qytetar dhe të pavarur të kauzës.

Më tej, Lleshi ka lëshuar akuza mjaft të ashpra ndaj Partisë Socialiste, duke ironizuar skandalin e fundit me koncertin e Kanye West dhe sjelljen e deputetëve të mazhorancës jashtë vendit, ndërsa vuri në dukje edhe shqetësimin e tyre qesharak për vlerësimet negative që protestuesit u lënë bizneseve të caktuara.

“Ndërsa PS, e cila së fundmi duket se merret me miliona euro për të blerë biletat e koncertit të një këngëtari fashist, deputetët luajnë me letra bixhoz në Strasburg dhe duke bërë kallëzime për pakënaqësitë për klientët në lokalet që protestuesit po u lënë review,” denoncoi ai nga sheshi.

Në mbyllje të fjalës së tij, aktivisti i ka kthyer një përgjigje të flaktë kryeministrit Edi Rama, i cili i quajti qytetarët në protestë “sorra dhe korba” nga Ankaraja.

“I quan protestuesit Rama sorra e korba. Këtu sheshi është i mbushur me shqiponja! Ajo që na bashkon është më e madhe se ajo që na ndan! Është aspirata për liri e demokraci!” përfundoi Arbër Lleshi mes brohoritjeve të qindra qytetarëve të mbledhur në bulevard.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb