Nga Shaban MURATI
Me asnjë shtet tjetër, që ka hyrë në NATO qysh nga viti 1999, kur u bënë pranimet e para të shteteve ish- komuniste, Moska nuk ka shprehur inat kaq të madh se sa me anëtarësimin në NATO të shtetit më të vogël ballkanik, Malit të Zi. Formalizimi zyrtar i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO në 5 qershor, kur kryeministri malazez Dushko Markoviç dorëzoi në Departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington instrumentet e pranimit të vendit të tij në Aleancën Atlantike, ngriti një stuhi stepash në korridoret e pushtetit në Moskë. Ministria e Jashtme e Rusisë, po atë ditë në 5 qershor lëshoi një kërcënim luftarak si në ditët më të errëta të luftës së ftohtë kundër Malit të Zi: ”Në dritën e linjës armiqësore të autoriteteve malazeze, pala ruse rezervon të drejtën të ndërmarrë masa ndëshkuese mbi bazën e reciprocitetit. Në politikë, njësoj si në fizikë, çdo veprim shkakton kundërveprim”. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në datën 6 qershor, dy herë brenda ditës, mbajti fjalime të gjata kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, duke sulmuar ashpër autoritetet malazeze. Po atë ditë, në 6 qershor, kryetari i Komitetit të Këshillit të Federatës Ruse për mbrojtjen dhe sigurinë, Viktor Ozerov, deklaroi se “Doktrina e sigurisë kombëtare të Rusisë, e miratuar nga presidenti, e quan NATO-n një nga kërcënimet kryesore për sigurinë kombëtare dhe marrëveshjet tona me Malin e Zi do të konsiderohen nga kjo pikëpamje”. Me një fjalë Moska shpall se Mali Zi është shndërruar në një nga kërcënimet kryesore për sigurinë kombëtare të Rusisë dhe duhet të presë masat hakmarrëse ruse ndaj tij.


Disproporcioni i parametrave të madhësisë fizike, gjeografike, ushtarake, ekonomike, njerëzore, teknologjike, diplomatike, ndërkombëtare, etj., midis Rusisë si fuqi e madhe, dhe Malit të Zi, si shtet mikroskopik, si edhe fakti që Mali i Zi ndodhet shtatë male e shtate dete larg Rusisë, nuk mund të mos e bëjnë kuriozitet këtë reagim jo normal. Ky inat i madh politik, diplomatik dhe shtetëror duhet të ketë disa shpjegime, sepse nuk është se Moska e mësoi në 5 qershor 2017 që Mali i Zi u bë anëtar i Aleancës Atlantike. Parlamenti i Malit të Zi e ka miratuar që në 16 shtator të vitit 2015 rezolutën për anëtarësimin e vendit në NATO dhe sipas Kushtetutës malazeze ky është hapi final legjislativ, që duhet të ndërmarrë shteti për të ligjëruar anëtarësimin në një organizatë ndërkombëtare. Në 2 dhjetor 2015 Mali i Zi mori zyrtarisht nga NATO ftesën për anëtarësim. Pra duhen kërkuar motive dhe shkaqe të tjera, përse Moska i dha tani një dimension ndërkombëtar inatit të saj për formalizimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO në 5 qershor.

Nuk duhet të jesh ekspert ushtarak apo i sigurisë për të fituar një nënqeshje nga pretendimi që Mali i Zi, si shteti më i vogël ballkanik që ndodhet në anën tjetër të botës për Rusinë, mund të jetë kërcënim për sigurinë kombëtare ruse. Mali i Zi dhe ish-Jugosllavia, ku republika e Malit të Zi ka qenë pjesë para shembjes së Federatës Jugosllave, nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë të Traktatit ushtarak të Varshavës, të krijuar dhe të sunduar nga Moska. Mali i Zi dhe ish- Jugosllavia nuk kanë qenë as pjesë e ish Bashkimit Sovjetik dhe nuk quhen sot pjesë e hapësirës “post sovjetike”, siç i përkufizon Moska shtetet, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, dhe të cilët, sipas doktrinave zyrtare ruse, duhet të jenë nën influencën ruse. Mali i Zi dhe ish-Jugosllavia nuk kane qenë as shtete kufitare me ish -Bashkimin Sovjetik, që të futen në kategorinë tjetër të rivendikimeve imperiale ruse, të njohur me termin “fqinjësia e afërt”.

Argumenti kryesor, që haset në fjalimet e ministrit të Jashtëm rus dhe të përfaqësuesve të tjerë të diplomacisë dhe të shtetit rus kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO është se Rusinë dhe Malin e Zi e lidhin historikisht gjuha, feja, raca, etj. Vështirë të gjesh absurditet më të madh, se sa të pretendohet vendosja e influencës dhe e varësisë nga Rusia me argumentin se populli malazez është sllav dhe ka gjuhë sllave dhe ka fenë ortodokse. Këtë pretendim, në datën 6 qershor ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, e vendosi në qendër të fjalimeve të tij kundër Malit të Zi në NATO. Me këtë logjikë i bie që Turqia ka të drejtë të kundërshtojë anëtarësimin e disa shteteve të Kaukazit dhe të Azisë Qendrore, të cilat kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, dhe që janë anëtarësuar në organizatën ushtarake CSTO, të krijuar nga Rusia,(një NATO ruse), apo në organizatën tjetër politike CIS, të krijuar po nga Rusia, me që flasin gjuhën turke dhe meqë janë myslimanë. Ose njësoj si të pretendosh se edhe Çeçenia dhe Tataristani, meqë janë popullsi myslimane, duhet të jetë nën influencën e Turqisë.

Për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO Moska e humbi qetësinë për shumë arsye të tjera, që nuk kanë lidhje me ndonjë të ashtuquajtur kërcënim apo rrezik, qe mund t’i vijë sigurisë kombëtare ruse nga një shtet me gjashtëqind mijë banorë. Arsyeja e parë është se anëtarësimi i Malit të Zi ekspozoi dështimin e politikës së ndërhyrjes ruse për të vendosur influencën e plotë në Malin e Zi, shënon dështimin përfundimtar të ëndrrës ruse për të dalë në Detin Adriatik, për të cilën në vitin 2013 Rusia bëri kërkesë zyrtare dhe ushtroi një presion të jashtëzakonshëm mbi Podgoricën për të marrë lejen për një bazë ushtarake ruse në bregdetin malazez. Ka qenë një ndërhyrje intensive e vazhdueshme ruse në Malin e Zi gjatë viteve të fundit, që nga investimet e mëdha, blerjet masive të pronave, aktiviteti eroziv i institucioneve ruse të spiunazhit dhe të diversionit, krijimi i partive dhe grupeve politike dhe shoqatave joqeveritare pro ruse, e deri tek përpjekja kulmore për grusht shteti në tetor të vitit të kaluar me implikimin e shërbimit sekret rus dhe serb për rrëzimin e qeverisë dhe prurjen në pushtet të forcave politike të financuara nga Moska dhe Beogradi. Siç deklaroi kryeministri i Mali të Zi, Dushko Markoviç në 5 qershor, vendi i tij ia arriti t’i rezistojë presionit të Moskës. Rusia dështoi ta kthente mbrapa rrotën e historisë së Malit të Zi dhe kjo komprometoi jo vetëm ambicien ruse për atë shtet dhe për bregdetin e tij Adriatik, por edhe politikën ruse në Ballkan.

Shkrimin e plotë e gjeni në Gsh.al duke klikuar tek linku:

http://www.gsh.al/2017/06/12/pse-ky-inat-disproporcional-rus-me-malin-e-zi/

Etiketa: