Ish-deputeti Ervin Salianji, i ftuar në emisionin Studio24, ka komentuar situatën brenda PD-së, pasi nuk u lejua të garojë për kreun e partisë përballë Sali Berishës. Ai u ndal edhe te largimi nga lëvizja e nisur prej tij i figurave si Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja.

Salianji deklaroi se pakënaqësia ndaj drejtimit të Berishës brenda PD-së është shumë më e madhe sesa duket publikisht.

“Situata është kjo: 80% e demokratëve janë të pakënaqur me drejtimin e tij. Po të jepej mundësia për votim të fshehtë, ai e di që do t’i dilnin kundër. Së pari, ai nuk duhet të kandidojë fare sipas statutit dhe ligjit të partisë”, u shpreh Salianji.

Ai shtoi se nuk e ka çuar çështjen në gjykatë pasi ka preferuar një zgjidhje politike brenda partisë.

“Nuk e kam çuar në gjykatë sepse kam dashur të ketë një zgjidhje politike. Unë po kërkoj që PD të jetë fituese. Ndërkohë ai thotë: ‘Pse e do fituese, se je mirë me Ramën’”, deklaroi ish-deputeti.

Duke komentuar largimin e figurave të njohura nga lëvizja e nisur prej tij, Salianji tha se nuk e di se kë do të mbështesin Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja në garën e brendshme të PD-së.

“Unë nuk e di kë do votonin Alimehmeti dhe Kalaja. Kur Edi Rama doli kundër Fatos Nanos, kë kishte në krah? Askënd”, tha ai.

Salianji theksoi se lëvizja e nisur prej tij ka prodhuar efekte konkrete brenda partisë, duke përmendur emërimet e fundit në strukturat e PD-së.

“Po nuk ikën këta që nga roje koteci, nuk fiton dot. Unë e kam arritur një qëllim. Me një kafe, njëri u bë kryetar. Më i votuari në listën e Durrësit u bë kryetar në Krujë. Tjetri pritet të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës. Nuk i përfillnin më parë. Si mund të thuhet që nuk kam arritur gjë? Edhe kjo është pjesë e strategjisë”, deklaroi ai.

Në fund, Salianji theksoi se beteja e tij nuk synon dëmtimin e PD-së, por rikthimin e partisë në një forcë konkurruese përmes votës dhe figurave që sjellin mbështetje.

“Nuk ndihmoj Berishën, unë do të shkoj te vota sepse dua që PD të fitojë. Nuk dua të shkatërroj PD-në. Figurat duhen për të sjellë njerëz, por nëse një figurë publike largon njerëzit, atëherë këtë problem duhet ta zgjidhim”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb