Paris SG-ja ka zgjidhur çështjen e trajnerit të ri duke emëruar Kristof Galtie në krye të skuadrës. Por ardhja e teknikut të ri nuk është se ka qetësuar ujërat në Paris. Të tjera tema janë ende të nxehta, aq më shumë kur flitet për “peshat” e rënda të klubit Neymar, Messi e Mbappe.

Tani i gjithë fokusi është te Nejmari dhe largimi i mundshëm i brazilianit nga kampionët e Francës pas qëndrimit të ashpër të presidentit Naser Al Khelaifi. Ndoshta strumbullari i të gjitha lëvizjeve në Paris mund të jetë Kylian Mbappe.

Që nga dita e rinovimit të tij me klubin francez, në mediat franceze dhe jo vetëm është spekuluar për faktin se sulmuesi i kombëtares franceze do të marrë komandën qoftë edhe për fatin e disa lojtarëve në ekip.

Një gjë e tillë është hedhur poshtë nga presidenti Al Khelaifi. Por teksa flitet për Neymar, në Paris janë të bindur se braziliani ka futur xixat mes Mbappe dhe Messit.

FËRKIMET – Pas shumë e shumë zhvillimeve për muaj me radhë, në fund Mbappe vendosi të refuzojë Realin e Madridit dhe t’i thotë po Paris SG-së. Ai firmosi një kontratë të re deri në vitin 2025 me kampionët e Francës.

Sipas atyre çfarë kanë raportuar mediat franceze, përtej rritjes së ndjeshme të përfitimeve financiare nga kontrata e re, Mbappe ka marrë më shumë fuqi edhe në drejtim të skuadrës.

Një nga kërkesat e para të Mbappe ka qenë largimi i Neymarit nga klubi. Për Mbappe problemet disiplinore të brazilianit janë të mjaftueshme për t’i bërë dalje nga Parisi.

Por siç ka bërë me dije gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”, një kërkesë e tillë e Mbappe nuk është pritur aspak mirë nga Lionel Messi. Sulmuesi argjentinas dëshiron që miku i tij Neymar të mbetet në ekip si për aftësitë e tij si futbollist ashtu dhe për vetë frymën në skuadër. Messi raportohet të ketë dalë menjëherë kundër idesë për largimin e Neymar.

QËNDRIMI I AL KHELAIFIT – Presidenti i Paris SG-së, Naser Al Kelaifi, ka deklaruar pak ditë më parë se opinioni apo mendimi i Mbappe do të dëgjohet, por nuk është kurrsesi sulmuesi francez që vendos se kush do të largohet e kush qëndron në skuadër.

“Ata që nuk përshtaten me projektin e klubit tonë do të largohen. Ka pasur nga ata që kanë përfituar nga kjo situatë e ndërlikuar, por tani gjithçka ka marrë fund. Nuk ka më lojëra”, ka thënë Al Khelaifi.

NEYMAR – Tashmë pyetja e vërtetë që shtrohet ka të bëjë me atë nëse Neymar do të vijojë në klub apo do të largohet. E sigurt është se nëse Neymari do të largohet kostoja financiare për Parisin do të jetë kolosale.

Ai ka një kontratë deri në vitin 2027 dhe nëse Parisi vendos t’i tregojë derën e daljes do të duhet t’i paguajë 32 milionë euro në sezon!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb