Presidenti rus Vladimir Putin do të takohet javën e ardhshme me homologun e tij kinez Xi Jinping, në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, që do të zhvillohet në Bishkek, kryeqytetin e Kirgistanit. Lajmin e bëri të ditur këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, i cili tha se në takimin mes dy liderëve do të diskutohet edhe projekti i shumëdebatuar i gazsjellësit “Power of Siberia 2”.

Gazsjellësi, me gjatësi rreth 2,600 kilometra, është planifikuar të transportojë rreth 50 miliardë metra kub gaz natyror në vit nga Siberia drejt Kinës, përmes Mongolisë. Projekti është përballur prej vitesh me pengesa dhe mbetet i pezulluar për shkak të mosmarrëveshjeve, veçanërisht lidhur me çmimin e gazit.

Në margjinat e samitit, Putin pritet të zhvillojë gjithashtu një takim me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Sipas Ushakov, në fokus të bisedimeve do të jenë situata në Detin e Zi dhe zhvillimet e luftës në Ukrainë.

Kreu i Kremlinit do të takohet gjithashtu me kryeministrin indian Narendra Modi dhe presidentin iranian Masoud Pezeshkian. Takimet pritet të shërbejnë si një mundësi për Moskën për të diskutuar bashkëpunimin energjetik dhe çështje të tjera strategjike me partnerët e saj kryesorë në Azi dhe Lindjen e Mesme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: