Qendra Shëndetësore në Pezë të Madhe ka 3 vite që qëndron e mbyllur, me arsyetimin se ka pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit. Por banorët pretendojnë të kundërtën.

Ata pohuan se qendra shëndetësore ka 3 vite që qëndron e mbyllur, duke u kthyer në një shqetësim për të gjithë komunitetin në Pezë të Madhe. Ata tashmë, detyrohen të shkojnë të trajtohen disa kilometra larg shtëpive të tyre, në një pronë private lokal, e përshtatur në formën e një qendre trajtimi, që për banorët nuk ofron kushtet e duhura.

Banorët u shprehën, se një problematikë e shtuar për ta është edhe kosto financiare, pasi për të shkuar për në qendrën shëndetësore, i duhet të paguajnë taksinë deri në 5 mijë lekë të vjetra.

Ata pretendojnë se qendra shëndetësore që qëndron e mbyllur i ka kushtet e duhura e nuk paraqet rrezik, ndërsa nuk kanë marrë asnjë shpjegim pse qëndron ende e mbyllur.

Kjo qendër shëndetësore u inaugurua në mars të 2019 nga ministrja Ogerta Manastirliu, pas 30 vitesh pa u vënë dorë në atë godinë, por tanimë, qyqarëve u duhet ende të qëndrojnë pa një qendër shëndetësore të përtashme e me kushtet e duhura trajtimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb