Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Shaar, tha se do t’i paraqesë qeverisë së vendit të tij një projekt-rezolutë për të njohur zyrtarisht gjenocidin armen .
Gazeta “Times of Israel” raporton se rezoluta do të debatohet këtë të diel dhe thekson se ky veprim me siguri do ta provokojë Turqinë .
Në postimin e tij, ai thekson se njohja “është një detyrim moral dhe historik ”, ndërsa shton se “është e nevojshme të dënohet mohimi, degradimi ose shtrembërimi i së vërtetës historike”.
Në fazën përfundimtare, rezoluta do të hidhet në votim në parlamentin e Izraelit, Knessetin.
Në postimin e tij, ministri izraelit shkruan:
“ Do t’i paraqes për miratim qeverisë izraelite, në mbledhjen e saj të ardhshme, një projektrezolutë mbi njohjen zyrtare të gjenocidit armen nga qeveria e Izraelit.
Njohja e gjenocidit të kryer kundër popullit armen në ditët e fundit të Perandorisë Osmane është një detyrim moral dhe historik. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të dënohet mohimi, degradimi ose shtrembërimi i së vërtetës historike.
Rezoluta do të hidhet më pas në votim në Knesset .”
Izraeli prej kohësh e ka shmangur njohjen e masakrave si gjenocid për shkak të ndjeshmërisë diplomatike të çështjes , por përkeqësimi i ndjeshëm i marrëdhënieve me Turqinë nën Presidentin Rexhep Tajip Erdogan, i cili e ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për gjenocid në Gaza, e ka shtyrë Izraelin vitet e fundit të ndërmarrë disa hapa drejt njohjes, shton Times of Israel.
Për më tepër, gushtin e kaluar, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi për herë të parë se e njihte gjenocidin.
