SHKUP– Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka dalë në konferencë për mediat në lidhje me çështjen e formimit të qeverisë së re në vend.

Ivanov deklaroi se nuk do i japë mandatin Zoran Zaevit pasi ai ka pranuar platformën shqiptare, e cila sipas tij cenon sovranitetin e vendit.

Ivanov ka thënë se i ka kërkuar liderit të LSDM, Zoran Zaev të hedhë poshtë dhe të mos pranojë platformën shqiptare si kusht për formimin e qeverisë së re.

“Zaevit i propozova që të respektohen afatet prej dhjetë ditësh. Ai ka informuar se LSDM-ja do t’u qëndrojë afateve dhe nuk do të ketë vonesa. Dokument paszgjedhor i partive politike shqiptare i nënshkruar në një shtet tjetër, kurse përmbajtja e saj është jashtë Kushtetutës dhe rrezikon shtetin. Me platformën shqiptare, Maqedonia është shantazhuar dhe është rrezikuar uniteti dhe sovraniteti i vendit. Platforma na ka futur në një krizë ende më të madhe ku vihen në pikëpyetje themelet e interesave të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”- tha presidenti Iavnov.

Gjithashtu presidenti maqedonas tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të dënojë platformën shqiptare, pasi kjo platformë rrezikon sovranitetin.

“Çdo vendim i nxituar mund të sjellë pasoja katastrofale për të ardhmen e Maqedonisë. Ndërgjegjja nuk më lejon t’i jap mandat dikujt që cenon sovranitetin e Maqedonisë. Qytetarët të jenë të qetë sepse deri sa të jem kryetar i Maqedonisë nuk do t’i jap mandat dikujt që angazhohet, ose që në program të tij ka cenimin e pavarësisë së Maqedonisë”- tha Ivanov.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: