Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk sheh kritika në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, përkundrazi vlerëson se ka progres në 80 për qind të kapitujve që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Komisioni ofron një vlerësim objektiv të progresit, por edhe të dobësive. Një mesazh i rëndësishëm që del nga raporti është se ne kemi përparuar në 80 për qind të kapitujve dhe nuk është vërejtur asnjë regres. Kemi një vlerësim të mirë në vitin 2023, që paraqet ecuri solide në disa vitet e fundit. Në pjesën që ka të bëjë me vlerat themelore, vërehet se shteti po jep rezultate”, tha zëvendëskryeministri për Çështjeve Evropiane, Bojan Mariçiq, në një konferencë për media që bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer.

Mariçiq tha se pakoja për zgjerimin e KE-së për vitin 2023 që u publikua të mërkurën, krahas strategjisë së zgjerimit dhe raporteve individuale, përfshin një tjetër dokument shtesë, planin për rritjen e ekonomive të shteteve të Ballkanit Perëndimor, që sipas tij, paraqet dinamikë të re shtesë në procesin e integrimit në BE.

Ai nuk komentoi kritikat, por këtë e bëri ambasadori evropian David Geer, duke përmendur mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, keqpërdorimin e flamurit të BE-së gjatë miratimit të ligjeve, por edhe mosbesim te gjyqtarët dhe institucionet në përgjithësi.

Raporti thekson nevojën për forcimin e rolit të Kuvendit për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë, ndërsa nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorisë kërkohet që të veprojnë me vendosmëri për të promovuar dhe mbrojtur pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Raporti është korrekt dhe i drejtë. Me këtë duam të inkurajojmë autoritetet, institucionet shtetërore, si dhe të gjithë aktorët politikë që të bëjnë shumë më tepër për avancimin e reformave në interes të qytetarëve dhe në interes të rrugës drejt anëtarësimit në BE”, tha ambasadori i BE-së, David Geer.

Në raportin e KE-së janë kritikuar ndryshimet në Kodin Penal që çuan në vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore ku ishin të përfshirë ish-zyrtarë të lartë shtetërorë, ndërsa vërejtje ka edhe për lirinë e shprehjes duke kërkuar transparencë në lidhje me reklamimin në media nga institucionet shtetërore dhe partitë politike, si dhe rishikimin e kuadrit ligjor që rregullon median për ta sjellë atë në përputhje me standardet e BE-së.

Ndërkohë, lidhur me raportin ka reaguar edhe opozita shqiptare e cila e vlerësoi si “raportin më të keq që ka marrë ndonjëherë Maqedonia e Veriut”.

“Kjo Qeveri nuk e ka më prioritet integrimin në BE…ky është raporti më negativ që ka pasur Maqedonia e Veriut nga Bashkimi Evropian. Ne edhe një herë konstatojmë se kjo Qeveri që mendon vetëm për pushtetin dhe fare për shtetin. Është Qeveria më antievropiane pas vitit 2017 dhe prandaj ajo duhet të delegjitimohet sa më shpejt që është e mundur. Ndryshe ajo po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme”, u tha në reagimin e Lidhjes Evropiane për Ndryshim.

Në Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut, KE-ja vuri në pah mungesën e rezultateve në disa fusha, si në atë të gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, mosmiratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulë, si dhe polarizimin e skajshëm të skenës politike./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb