TIRANE– Qeveria ka miratuar sot vendimin për ndalimin e importit të automjeteve mbi 10 vjet nga viti i prodhimit. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, automjetet të cilat kanë hyrë në territorin shqiptar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në  1 mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme.

Sipas vendimit të marrë sot, në kuadër të ruajtjes së cilësisë së ajrit, lejohen të regjistrohen për qarkullim në Shqipëri, automjetet si më poshtë:

  • Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Evropian;
  • Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1,me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Evropian;
  • Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 4) duhet të jenë prodhuar jo me shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;
  • Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Sipas VKM-së, automjetet që do të importohen në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me këtë vendim, duhet të përmbushin kushtet teknike lidhur me karakteristikat funksionale të sistemeve dhe të pajisjeve dhe gjendjes tekniko-fizike të tyre, të cilat duhet t’u korrespondojnë mjeteve të parashikuara në pikat e mësipërme.

Vendimi hyn në fuqi, 30 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

Ky vendim nuk zbatohet për importin e automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, siç janë:

  1. automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970;
  2. automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë;
  3. automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.
  1. b) Mjeteve motorike, të cilat janë të importuara nga subjekte fizike e juridike, me qëllim ndihmën humanitare, në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacionet dhe ndihmat humanitare.

(d.d/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: