*Tritoli në makinën e ‘atentatorit’, Rama: Nuk është çudi vjen nga bota e krimit
*Unë e Meta u shqetësuam kur morëm vesh versionin e Doshit, por pastaj policia zbuloi që ishte aktrim

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan se nuk ka pasur asnjë tentativë për të eliminuar deputetin Tom Doshi. Ky sipas tij, është rezultati ku ka dalë policia pas pretendimeve dhe dëshmisë së ‘atentatorit’ që u rrëfye tek Doshi.

Kryeministri tha që ngjarjen ia ka rrëfyer vetë Doshi, i cili i ka shprehur shqetësimin se ishte në dijeni të një komploti, ku përfshiheshin personat që tashmë dihet se kush janë, sic tha Rama dhe “që minsitri i Brendshëm i ka renditur dje besnikërisht”.

“Kemi ndjekur këtë situatë hap pas hapi me minsitrin e Brendshëm dhe u njoftua edhe Kryeprokuri. Që të ketë një hetim ligjor duhet të ketë një kallëzim, gjë që deputeti nuk ka dashur asnjëherë ta bëjë”, tha Rama.

Rama pretendon se videoja e bërë publike nga deputeti Doshi, ku tregohet skenari i atentatit të mbetur në tentativë ndaj Doshit e Fufit, nuk është gjë tjetër veçse një farsë. Sipas tij edhe Durim Bami, personi që do kryente atentatin është një aktor.

“Cdo deputet mund të shfaqet në derën e ministrit të Brendshëm dhe mund të pretendojë këtë histori. Por deputeti Doshi ka refuzuar të japë dëshmi, ndaj ka refuzuar dy oficerët. Ne e kemi marrë vesh qysh në krye të herës. Kjo është një bisedë kot, një farsë. Nuk ka pasur një përpjekje për të eliminuar deputetin. Deputeti dhe personat publikë mund të shfaqen me një person tjetër, në këtë rast Doshi është shfaqur me një aktor, i cili është futur në një rol. Mbi shqetësimin ministri ka ngarkuar policinë për të hetuar çështjen dhe policia ka dalë në konkluzionin që është një aktrim. Policia ka ndjekur rrugën e treguar nga indiciet, kjo nuk ishte përpjekje për të vrarë askënd. Drejtori i Përgjithshëm i policisë ka qenë atë ditë me ministrin. Nuk kërcënohej jeta e askujt. Policia ka marrë masat, ka marrë protagonistët në vëzhgim dhe ka arritur në këtë konkluzion që në momentin e parë është njoftuar Prokurori i Përgjithshëm që e ka ftuar Doshin të denonconte. Ministri i Brendshëm na ka informuar mua, Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llallën dhe kryeparlamentarin Meta menjëherë. Është një aktor, nesër mund të dalë video tjetër me aktor tjetër, ku pagues mund të dal unë apo Sandri dhe çfarë do bëjmë ne do ngrihemi në këmbë? Policia e ka ndjekur procesin ka fashikuj të regjistruar për këtë çështje”.

Më tej kryeministri është shprehur se kërkon që kjo çështje të zbardhet nga organet hetimore në mënyrë të plotë.

“Çështja do zbardhet nga pikëpamja penale. Pastaj kush janë organizatorët dhe nxitësit e këtij procesi do vërtetohet, por kjo është një farsë që ka sjellë në marrjen peng të opinionit dhe parlamentit të bazuar në një hiç. Nuk ka pasur komplot për të vrarë asnjë deputet. Personi i shfaqur në cilësinë e të penduarit ka refuzuar mbrojtjen edhe deputetit i është kërkuar të bëjë kallëzim dhe ka refuzuar. Kryeprokurorit i kërkova me këmbëngulje të zbardhë çështjen që e vërteta të dalë në diell, nuk ka më një person që aktron, por një person që është ndaluar nga policia”.

I pyetur si ka mundësi që kanë dashur të eliminojnë atentatorin e Doshit në një kohë që kryeministri e quan aktor, Rama tha se nuk është i çuditur, pasi ai vjen nga bota e krimit.

“Një person që është gati për të marrë rolin, që është gati të aktrojë duhet të jetë patjetër dikush që vjen nga bota e rrugaçërisë dhe krimit, dhe që kanë probleme në botën e tyre, këtë e dinë të gjithë. Është farsë, nga makthi duhet të çlirohet i gjithë opinioni. Nuk ka pasur komplot për të vrarë asnjë deputet. Personi i shfaqur në cilësinë e të penduarit dhe ka refuzuar edhe deputetit i është kërkuar të bëjë kallëzim dhe ka refuzuar”.

Rama ka treguar më tej se çfarë i ka thënë deputetit Tom Doshi në momentin që ky i fundit i ka rrëfyer se jeta e tij ishte në rrezik.

“Nuk ka rëndësi çfarë më tha, jam përpjekur maksimalisht për këtë çështje. Jam përpjekur ta bindë që nuk ka bazë faktike, është e kotë të përpiqet të nxjerrë si të vërtetë diçka imagjinare, Edhe sot nuk e kuptoj a ka qenë i mbërthyer nga paranoja apo ka qenë pjesë e kësaj farse”.

Rama thotë se fill pas rrëfimit të Doshit ka komunikuar me Metën. “Me Metën komunikova, e ndoqëm me shqetësim çështjen derisa policia na tha që nuk ka asnjë tentativë për ta vrarë”.

Lidhur me kërkesën e PD-së, për dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Rama u shpreh se, “Në këtë vend Kryeminsitri i ka thënë Kryeprokurores lavire Bulevardi. A ka ky person fytyrë t’i kërkojë dorëheqjen kreut të Kuvendit. Dëshminë kreu i Kuvendit, ashtu si unë dhe si minsitri i Brendshëm do ta japim nesër në Prokurori.

Duke u përgjigjur për situatën e poltikës sot, Kryeministri Rama u shpreh se, “besoj se nga njëra anë kemi një shumicë që ka hapur një kantier reformash për t’i bërë mirë këtij vendi dhe nga ana tjetër kemi një opozitë që jo vetëm ka humbur kreun, por është bërë zëdhënëse e skutave të errëta të krimit”.

Rama u shpreh ndër të tjera se përjashtimi i Doshit nga PS-ja erdhi pas deklaratave të tij kërcënuese dhe jo pas atyre që erdhën më pas. “Arsyet e përjashtimit nuk kanë lidhje me çfarë erdhi më pas. Ai shkeli kontratën tonë të bashkëjetesës. Nuk mund të pranojmë deputet që i shpallin luftë qeverisë, që thonë se janë në luftë me të dhe se do na tundin leqet”.

Ndërsa me përfshirjen e deputetit Doshi në listat e PS në zgjedhje, Kryeministri Rama u shpreh se, “çdo kush mban përgjegjësi për zgjedhjen e tij. Ata që janë përfshirë në lista janë përfshirë për meritat e tyre, për kontributet që i kanë dhënë PS-së. Nëse nën tundimin e pushtetit humbasin drejtimin e tyre ne na takon që t’u tregojmë kufirin”.

Kryeministri Rama theksoi se nuk ka asnjë dijeni për persona problematikë në lidhje me krimin në grupin parlamentar të PS-së, madje, shtroi Rama, edhe arsyeja e përjashtimit të deputeti Doshi është ajo e mospërputhjes me vijën e grupit parlamentar.

Dekriminalizimi
Duke folur për çështjen e dekriminalizimit, Kryeminsitri Rama tha se, “i kemi thënë opozitës bjer propozimet e tua dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë. Problemi ynë është tjetër, që këta që bërtasin për dekriminalizim u bashkuan sot në kor me një veprimtari kriminale. Pasi gjithë kjo farsë ka brenda një shfaqje kriminale sepse nuk është lojë, është një farsë që ka impakt në jetën poltike dhe sociale të vendit dhe opozita u bashkua me këtë veprimtari. Opozita ka dalë në përfudnimin se kreu i Kuvendit ka propozuar vrasjen”.

Konkurset në administratë
Lidhur me emërimet në administratë, Rama theksoi se, “Në administatën shtetërore çdo punonjës i ri futet nëpërmjet konkurseve sipas ligjit të shërbimit civil. Në rast se në periudhën menjëherë pas ardhjes në qeverisje pati raste të personave që rezultuan të papërshtatshëm ata tashmë janë larguar. Asnjëherë nuk kemi thënë se me ardhjen tonë në pushtet, do të vinin këtu të gjithë ëngjëjt dhe Shqipëria nga ferr do të bëhej mënjëherë parajsë”.

Policia e Shtetit
Ndërsa për ngjarjet e fundit të shpërthimeve me tritol, Kryeministri Rama u shpreh se, “faktet thonë që gjatë vitit 2013 kemi pasur 85 ngjarje me eksploziv, ndësrsa në vitin 2014kemi pasur 75 ngjarje me eksploziv”. Ndërsa shtoi Rama, “gjatë këtij viti kemi një ulje të vrasjeve”.

“I them shqiptarëve me përgjegjësi të plotë se Policia e Shtetit, që kishte ikur në drejtim të paditur është sot një polici në shërbim të plotë”, tha Kryeminsitri, duke shtuar se ka sigurisht vend për përmirësim.

“Kemi një gjëndje policie shteti shumë inkurajuese. Morëm një polici, më të vjetrën në moshë, në Evropë dhe rajon, më të pashkolluar, me paga më të ulta. Kemi pastruar për arsye korrupsioni, etike dhe shkelje normash 11% të trupës. Ndërkohë jemi angazhuar për ripërtëritjen e saj me të rinj që janë marrë me konkurs”, tha Rama.

“Kemi rritje të zbulueshmërisë. Sepse me vërte guxuan i vunë tritol ministrit të Brendshëm, por janë sot në burg. Ka mbaruar koha e ikjes në drejtim të paditur”, u shpreh kreu i qeverisë.

“I kemi thënë qytetarëve që për 300 ditë do të vëmë Policinë e Shteti në këmbë. Gjatë qeverisjes tonë policia do të kthehet në një polici model në rajon. Ndërsa në fund të 8 viteve të qeverisjes tonë do të kemi një polci model në Europë”, tha Rama.

Energjia
Kryeminsitri u shpreh se, “nuk arrestohet askush në Shqipëri për borxhe ndaj OSHEE. Nuk ka lidhje policia me borxhet. Për borxhet pritet energjia nëse ai që ka borxh nuk lidh kontratë me OSHEE. Policia angazhohet vetëm për vjedhje. Ndërkoëh ju jap lajmin se operacioni ynë për reformimin e thellë të sektorit të energjisë nga liberalizimi tek modernizimi i sistemit, tek adminsitrimi i të ardhuraave nga sistemi ka qenë një oepracion shërues me vlera të jashtëzakonshme. Po ia frohen 250 mijëshit konsumatorët familjarë që i nënshkruajnë kontratë me OSHEE. Ka ende akoma të tjerë prandaj e kemi shtyrë me një muaj”.

Ekonomia
Kryeministri Rama u shpreh se, “Sigurisht që Shqipëria po rilind. Sigurisht që Shqiëpria sot është një ekonomi larg asaj që duam. Në një vit e gjysëm kemi kthyer ritmin e rritjes ekonomike. Kemi një marrëdhenie program dhe kontrate em FMN. Rritja është 2.1% e viti që kaloi. Këtë vit parashikohet 3%. Kemi 93 mijë e disa qindra më shumë”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: