Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji në takimin e zhvilluar me mbështetësit te Akademia e Arteve, tha se qeverisja e Edi Ramës ka sjellë një pushtet korruptiv dhe një shoqëri të zhgënjyer.
Ai theksoi se Shqipëria sot është përballë një regjimi, ndërsa shtoi se po përballet edhe me një tjetër tragjedi, atë të largimit të shqiptarëve. Salianji tha se qeveria socialiste ka prodhuar një shtet tërësisht të centralizuar dhe se të gjitha institucionet i nënshtrohen vullnetit personal të kryeministrit.
“Në këto 6 muaj keni pasur integritetin për ta parë siç duhet qëllimin e kësaj lëvizjeje, për ta kthyer PD në krye të qeverisjes dhe të mbyllim një orë e parë ciklin e Edi Ramës. Një shoqëri e Edi Ramës është bilanci kryesor i qeverisë së Ramës. Vendimet merren nga pak njerëz për interesa të pak njerëzve të tjerë. Shqipëria po zbrazet dhe kjo është një tragjedi dhe na bën përgjegjës edhe ne përfaqësuesve të PD. Në të gjithë elementët kjo qeverisje ka dështuar, spitalet nuk kanë ilaçe për kancer por kanë subvencione për të bërë terapi hormonale për njerëz që nuk dihet se çfarë qëndrimi kanë.
Rama nuk ka asnjë vepër pa patur pas një skandal. Të gjitha veprat infrastrukturore të Edi Ramës kanë pas një njeri që ka probleme me SPAK. Të gjitha veprat publike të Edi Ramës kanë pas milionja euro korrupsion dhe njerëz që pasurohen në kurriz të qytetarëve. Por Rama nuk mban përgjegjësi se i vjedh zgjedhjet dhe nuk arrijmë si PS që të çojmë 800 mijë votues në kutitë e votimit për të tejkaluar numrin e votave që Edi Rama vjedh. Kjo sepse ne pa krijuar epërsi morale nuk mund t’i bindim qytetarët. Nëse Edi Rama vjedh zgjedhjet ne nuk mund të lejojmë që në PD të grabiten, vidhen dhe të mos bëhen zgjedhje. Nëse Edi Rama para 12-13 vitesh tha Rilindje ne nuk mund të pranojmë sot që në PD të jenë kaq përtacë sa të thonë nesër në Kuvendin e uzurpimit “Ripërtëritje”, njëri Rilindje, tjetri Ripërtëritje, njëri vjedh Shqipërinë, tjetri vjedh opozitën, Rama autokrati i Shqipërisë, Berisha autokrati i opozitës. Qytetarët po e bëjnë dallimin. Kush thotë ku janë të rinjtë në PD, shikoni sheshin sot m.q.s Pallatin e Kongreseve na e mohuat, të rinjtë janë në PD, duan t’i bashkohen PD-së”, tha ai.
