Kryeministri i vendit Edi Rama në fjalën e mbajtur në parlament deklaroi se do të legalizohet çdo shtëpi në fshat, duke shtuar se do të bëhet regjistrimi i rregullt i pronave në zona problematike.

“Do të kemi një ligj për të regjistruar tokën që e kanë trashëgimi nga gjyshi. Ajo tokë që iu takon atyre do ta marrin ata. Kur ishit ju, letër pas letre dhe nuk merrej vesh. Do të marrin fund të gjitha këto. Do të bëhet legalizim prone dhe gjithë sistemi funksionon si një sistem dhe qytetari nuk ka të bëjë me 7 mekanizma, por ka të bëjë vetëm me Kadaastrën Shtetërore. Legalizimet janë një pjesë e ndërtimeve që ishin të palegalizueshme me ligjin në fuqi. Asnjë legalizim nuk bëjmë ne në zona urbane që shkel ligjin. Nuk bëjmë dot pronar dikë që thotë më shpronëso ti mua meqë do bësh këtë ose atë. Do të legalizojmë cdo shtëpi banimi në fshat. Për fat të keq, tokat në bregdet iu jepen kriminelëve dhe vagabondëve. Këta vijnë nga prirja “liri – demokraci”. Këtë e bëri ai që gjoja solli lirinë e demokracinë”, tha Rama.

Edi Rama ka theksuar se kjo qeveri është e vendosur që të godasë çdo krimininel, vrasës e trafikant.

“Kjo që po bëhet sot me OFL nuk bëhej dot dje, sepse dje ne ishim të rrethuar nga drejtësia kriminale. Duhet të dëgjoni mirë këto fakte. Drejtësia është shkelmuar për vite të tëra. Kujt do ia conim ne dosjet për të sekuestruar pasurinë kriminale që kanë bërë krime të tmerrshme, atyre që ikën nga vettingu? Ka persona që kanë arsye për t’i bërë krimit shenja me sy, duke e mbështetur përmes goditjes së qeverisë, që po iu bie në qafë këtyre që kanë vrarë, trafikuar vajza e kanë helmuar rininë me drogë. Ejani në vete”, nënvizoi ai.

Më tej, Rama ka ironizuar me kreun e PD Lulzim Basha, duke thënë se ai është arsyeja pse Partia Demokratike është katandisur si mos më keq.

“Basha është të bie ku të bie. Varet se ku bie. PD është katandisur në këtë farë feje. Që të ulen është normal, por ata rrinë në këmbë dhe bëjnë figurantin. Ju thoni se jemi të djathtë se na e ka lënë kështu gjyshi, por flisni mbrapsht. Mos thoni më “biri i partisë” se partia nuk është nënë. PD u katandis si mos më keq”, tha Rama.

Duke vazhduar fjalën e tij, Rama replikoi edhe me deputeten Rudina Hajdari, duke u shprehur se ato që thotë deputetja janë vetëm trillera të shpikura nga opozita.

“Zonja Hajdari thotë se Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë kaq keq. Unë nuk e di se në cfarë kodrine jetoni ju, por unë di se kriminalizimi i një vendi të tërë dhe përcundimi i një vendi të tërë është për faj të kësaj salle, i partive paraardhëse dhe mediave të caktuara. Thua krimi po lulëzon. Ku po lulëzon? Në kokat tuaja, sepse ju keni boshllëk se cfarë ndodh në Shqipëri e në botë. S’kam dëgjuar asnjëherë ide nga ju. Ajo që ka rëndësi është që lufta ndaj krimit nuk ndalet”, vlerësoi Rama.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb