VLORE- Kryeministri Edi Rama ka inspektuar paraditen e sotme punimet për projektin e rehabilitimit të lumit të Vlorës. Duke u shprehur se ky është një projekt i rëndësishëm për zonën, Rama tha se po krijohet një aks i ri zhvillimi ekonomik, social e turistik.

Kreu i Qeverisë u ndal tek komentet e ndryshme të adresuara ndaj tij nga qytetarët e Vlorës, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë nga mosrealizmi i projektit në kohën kur ata do të donin. Nisur nga kjo, Rama nuk ka kursyer batutat me qytetarët vlonjatë.

“Erdha në Vlorë që të shpëtoj nga vlonjatët që më kanë nxirë jetën në “Facebook”. Nuk guxonin njerëzit që administrojnë faqen time në Fb të shpërndajnë projekte që realizohen në zona të tjera të vendit, se hidheshin vlonjatët: ‘ku e ke projektin për lumin e Vlorës. E donin rrugën që ditën e parë të projektit. Kam dëgjuar edhe shprehje të tilla si “Iu bëftë kockë në fyt rruga e lumit të Vlorës”. E di që ka pakënaqësira, por projekti do kohën e vet. Padurimi juaj gjenetik duhet të trajtohet me respekt, por punët nuk bëhen menjëherë”, tha kryeministri Rama.

Teksa shtoi se sot u finalizua një proces i vështirë, Rama tha se në projekt përfshihen edhe lidhjet e fshatrave të zonës.

“Jam shumë i vetëdijshëm për pakënaqësirat, për mërzitjen, për lodhjen, për padurimin e njerëzve në Vlorë që lidhet me shumë vite pritje. Edhe për këtë projekt është pritur kaq shumë vite, ndonëse u është premtuar pafund. Por mos harrojmë se nuk mund të bëjmë në 3 e pak vite, atë që u dëmtua për kaq shumë vite. Po punojmë për të rindërtuar një zonë e një territor që kaq shumë është lënë pas dore, dhe kaq shumë është dëmtuar në vite. I gjithë qarku i Vlorës është një nga zonat që po bëhen investime që nuk janë bërë në 25 vite të marra së bashku. Sigurisht që ka ende shumë punë për të bërë, por ju siguroj, se transformimi që po bëjmë të mundur përmes këtyre projekteve në Vlorë do të sjellë një transformim të rëndësishëm ekonom-social për të gjithë familjet që jetojnë në këtë zonë. Por kjo do ndikojë edhe në gjithë vendin, pasi kjo zonë është e lidhur me turizmin”, tha kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb