Gazetari Osmani Stafa ka mbajtur një fjalim gjatë protestës së zhvilluar kundër kryeministrit Edi Rama, ku u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë qëndrimin e tyre dhe kërkesat për ndryshim.
Në fjalën e tij, Stafa kritikoi mënyrën se si, sipas tij, janë cilësuar protestuesit nga mazhoranca, duke deklaruar se në shesh ndodhen të rinj që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri, familje që duan të jetojnë në vendin e tyre, pensionistë dhe qytetarë që kërkojnë më shumë mbështetje sociale.
Ai përmendi gjithashtu shqetësimet për korrupsionin, kushtet në spitale dhe vështirësitë ekonomike të disa shtresave të shoqërisë, duke thënë se protestuesit janë qytetarë që kërkojnë dinjitet dhe një Shqipëri ndryshe.
“Përballë keni një kryeministër që ju quan sorra dhe korbat. Por kush janë? Janë rinia që kërkon të ardhmen ta ketë në Shqipëri? Janë të rinjtë që duan familjen e tyre ta krijojnë në Shqipëri? Kush janë sorrat dhe korbat? Kanë ata qytetarë që kërkojmë që korrupsionit t’i jepet fund. Janë pensionistët që kërkojnë të drejtën e tyre themelore, paratë për të blerë ilaçe. Janë ato nëna me fëmijë jetimë që nuk mbyllin dot muajin? Janë pacientët që shkojnë në spitale e nuk gjejnë ilaçe e pajisje. Jo mor jo këtu janë shqiponjat që luftojnë për dinjitet e një Shqipëri ndryshe. Janë Shqiponja që kërkojnë dinjitet për të ardhmen. A i keni parë çfarë shpenzimesh luksi, çfarë jete jetojnë ata. Qëndroni, rezistoni, luftoni për të ardhmen tuaj. Jeni shqiponjat më të bukura të atij flamuri që valëvitet dhe kërkon që të ardhmen ta kenë në Shqipëri. Ata nuk lodhen duke vjedhur, edhe ju si Shqiponja duhet të qëndroni në shesh deri në fund”, tha mes të tjerash ai.
Stafa u bëri thirrje pjesëmarrësve të qëndrojnë në protestë dhe të vazhdojnë angazhimin e tyre qytetar, duke i cilësuar ata si “shqiponja” që luftojnë për të ardhmen e vendit.
